
Orët e vona të 4 qershorit, 34-vjeçari Eglant Koci, u nis për në rrugën “Ismail Qemali” në Tiranë, për të takuar një të njohur të tij.
Pikërisht Armand Shakajn, i njohur si Mand Dhelpra 41-vjeç, i cili sot është autori kryesor i shpallur në kërkim nga policia për rrëmbimin dhe zhdukjen e Eglant Kocit.
Eglant Koci dhe Armand Shakaj kanë pasur një konflikt për një shumë të konsiderueshme parash. Por këto para ka dyshime se nuk ishin marrë nga Eglant Koci, por nga një miku i tij.
Sipas të dhënave që ka policia, i shpalluri në kërkim Armand Shakaj jepte para me fajde dhe kjo deri më tani është pista kryesore ku janë ndalur hetuesit.
Ka dyshime të forta se Armand Shakaj e ka thirrur Eglant Kocin për takim sqarues, fillimisht pranë Fast Food-it që Shakaj kishte në rrugën “Ismail Qemali”.
Aty ai ka komunikuar me kamarierin e tij, 25-vjeçarin Enea Zyferi, të cilit i ka kërkuar që të fikë kamerat e sigurisë, urdhër ky që është zbatuar nga i riu Zyferi. Ky i fundit është arrestuar nga policia për përkrahje të autorit të krimit.
Në këtë moment, policia dyshon se Armand Shakaj dhe Eglant Koci janë ngjitur pranë një ambienti tjetër që më herët ka qenë përdorur për Call Center dhe ishte shumë pranë Fast Food-it në pronësi të Armand Shakajt.
Në këtë ambient policia ka gjetur njolla gjaku. Ndërkohë InfoNews.al mëson se në disa pamje filmike të një kamere sigurie që ka qenë e ndezur, policia ka parë një person që dyshohet të jetë Armand Shakaj teksa tërheq një trup, që dyshohet se është Eglant Koci.
Më pas e ka futur në bagazhin e makinës së tij dhe e ka transportuar në rrethinat e Tiranës. Megjithatë, policia pavarësisht dyshimeve ende nuk e konfirmon vdekjen e Eglant Kocit pasi nuk ka gjetur trup apo gjurmë të tjera, veçse njollave në godinë dhe në makinën e Armand Shakajt.
Ndërkohë rreth orës 00:30 të 5 qershorit, Armand Shakaj ka marrë motorin e Eglant Kocit dhe e ka lënë pranë nënstacionit elektrik në Tiranë për të krijuar alibinë e zhdukjes së 34-vjeçarit.
Më pas ai duket teksa kthehet në këmbë, në drejtim të Bulevardit të Ri për t’u larguar më pas drejt banesës. (infonews)

