Dy të rinj janë vrarë në një incident me armë zjarri mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Klinës.
Ngjarja tragjike ka tronditur Klinën, ndërsa policia ka arrestuar personin i cili dyshohet se është autoriu i krimit.
Ai është identifikuar si Adrian Hoti, djali i ish-kandidatit të LDK-së për kryetar të Klinës, Besim Hoti.
Drejtori Rajonal i Policisë, Shaban Shala, ka konfirmuar detaje rreth rastit, duke deklaruar se viktimat janë të moshës 20 dhe 21 vjeç.
“Kur kemi arritur në vendngjarje, kemi gjetur një viktimë aty dhe i dyshuari kishte ikur. Si pasojë e kësaj, kemi një person që nuk kishte shenja jete dhe një tjetër që ka ndërruar jetë rrugës për në spitalin Rajonal të Pejës, pasi nuk ka mundur të përballojë plagët,” tha Shala.
Ai duke iu referuar informacioneve paraprale, tregoi se bëhet fjalë për 4-5 gjuajtje me armë zjarri.
Ndërkohë, prokurorja Sahide Gashi ka deklaruar se ende nuk dihen motivet që çuan në këtë akt të rëndë.
“Rasti është tragjik, pasi ka marrë jetën e dy personave të rinj. Detajet ende nuk i kemi, por jemi në proces të mbledhjes së provave dhe ekzaminimit të vendit të ngjarjes,” tha Gashi.
Ajo shtoi se trupat e viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“I dyshuari, edhe ai i moshës së re, është arrestuar falë punës së shpejtë të policisë,” përfundoi Gashi.