AKTUALITET /

Klodian Braho në Buenos Aires për konferencën e DEA-s, ambasada e SHBA-së ndan pamjet: Shqipëria forcon rolin kundër narkotrafikut

Ambasada amerikane thekson se Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, përmes OPDAT, e ka përfshirë SPAK-un në përpjekjet ndërkombëtare kundër krimit të organizuar.

Shkruar nga Versus

Klodian Braho në Buenos Aires për konferencën e DEA-s, ambasada e

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka vlerësuar pjesëmarrjen e drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, në Konferencën Ndërkombëtare për Luftën kundër Drogave #IDEC40, e zhvilluar në Buenos Aires me pjesëmarrjen e Agjencisë Amerikane kundër Narkotikëve, DEA.

Përmes një postimi, Ambasada amerikane thekson se Divizioni Penal i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së, përmes OPDAT, e ka përfshirë SPAK-un në përpjekjet ndërkombëtare kundër krimit të organizuar.

Sipas ambasadës, #IDEC40 është një forum global i sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, që synon integrimin operacional, koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve kundër organizatave kriminale ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në Buenos Aires, prokurorët e SPAK zhvilluan 12 takime të nivelit të lartë me homologë nga SHBA-ja, Kolumbia, Ekuadori, Ukraina, Paraguai dhe Argjentina.

Ambasada thekson se takimet kanë shërbyer për forcimin e marrëdhënieve dhe koordinimit operacional mes institucioneve ligjzbatuese, me synim goditjen e rrjeteve kriminale ndërkombëtare dhe përballimin e kërcënimeve që shtrihen në Europë, Amerikën Latine dhe Shtetet e Bashkuara.

Pjesëmarrja e SPAK në këtë forum ndërkombëtar vjen në kuadër të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për luftën kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar.

 

Poll