AKTUALITET /

Kosova dëbon predikuesin islamik nga Bosnja, lvedin Peziq u shoqërua një ditë më parë nga policia

Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Pejë ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni për ardhjen e Peziqit dhe aktivitetet e tij në Kosovë.

Shkruar nga Versus

Kosova dëbon predikuesin islamik nga Bosnja, lvedin Peziq u shoqërua

Predikuesi islamik nga Bosnje-Hercegovina, Elvedin Peziq, pritet të dëbohet nga Kosova, pasi një ditë më parë është shoqëruar nga Policia e Kosovës para një aktiviteti në Vitomiricë të Pejës.

Sipas një burimi të informuar për organizimin dhe qëndrimin e Peziqit në Kosovë, ai pritet të largohet nga territori i Kosovës gjatë ditës. Megjithatë, Policia e Kosovës ende nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar lidhur me rastin apo arsyet e mundshme të dëbimit.

Peziq është shoqëruar për intervistim informues para një aktiviteti fetar që ishte planifikuar të zhvillohej në Vitomiricë. Sipas organizatorit të aktivitetit, Rexho Kojiq nga organizata “Vullnetarët e Rinj”, predikuesi ishte transferuar në një stacion policor në Prishtinë.

Kojiq ka deklaruar se Peziq kishte hyrë rregullisht në Kosovë përmes pikëkalimit kufitar në Kullë, me dokumente të Bosnje-Hercegovinës. Sipas tij, Policia i kishte komunikuar se ai do të mbahej për disa orë për verifikim të identitetit.

Ndërkohë, Këshilli i Bashkësisë Islame të Kosovës në Pejë ka deklaruar se nuk kishte qenë në dijeni për ardhjen e Peziqit dhe aktivitetet e tij në Kosovë.

Sipas BIK-ut, Peziq nuk kishte kërkuar leje apo pëlqim për aktivitetin, ndërsa institucioni nuk kishte ofruar mbështetje materiale apo logjistike për vizitën e tij. BIK-u ka konfirmuar se ka pasur komunikim me Policinë e Kosovës lidhur me rastin, por nuk ka bërë publike përmbajtjen e tij.

Peziq dhe predikuesi tjetër islamik Mithad Qeman kishin planifikuar të promovonin një libër në Vitomiricë dhe më pas të zhvillonin një aktivitet në Dobrushë të Istogut. Për të premten ishte parashikuar edhe një aktivitet në Reçan të Prizrenit.

Qemani, sipas organizatorëve, është shoqëruar gjithashtu nga Policia, por është liruar menjëherë.

Kush është Elvedin Peziq?
Elvedin Peziq është predikues islamik nga Bosnje-Hercegovina, i cili prej vitesh është aktiv në internet. Ai njihet për qëndrime konservatore dhe identifikohet me rrymat selefiste.

Peziq ka më shumë se 300 mijë ndjekës në Facebook dhe publikon ligjërata, këshilla fetare dhe komente mbi çështje shoqërore.

Qëndrimet e tij janë kritikuar edhe më herët në Bosnje-Hercegovinë. Bashkësia Islame e Bosnjë-Hercegovinës ka reaguar ndaj disa prej deklaratave të tij, duke i cilësuar disa qëndrime si të papajtueshme me mësimet islame.

Deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga Policia e Kosovës që të sqarojë arsyet e shoqërimit të Peziqit apo bazën ligjore të mundshme për largimin e tij nga Kosova./Versus.al

Poll