AKTUALITET /

Kurti fton partitë politike në takim: Të diskutojmë emrat për presidentin

Shkruar nga Versus

Kurti fton partitë politike në takim: Të diskutojmë emrat

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje partive politike që të nisin diskutimet konkrete për emrat e kandidatëve për presidentin e ardhshëm, me synimin për të arritur një marrëveshje dhe për të shmangur zgjedhjet e reja.

Kurti deklaroi të premten se partitë duhet të kalojnë nga diskutimet e përgjithshme te propozimet konkrete.

“Duhet të fillojmë të flasim edhe me emra, sepse po humbim shumë kohë, por më së shumti humbim duke shkuar në zgjedhje”, tha Kurti.
Sipas tij, presidenti i ardhshëm duhet të jetë një figurë konsensuale, gjithëpërfshirëse dhe me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe te qytetarët.

Kurti bëri të ditur se një natë më parë u ka dërguar ftesë për takim kryetarëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, me qëllim diskutimin për zgjedhjen e presidentit.

“Duam që për këtë të merremi vesh paraprakisht në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet”, u shpreh ai.

Kreu i LVV-së tha se në Kosovë ka dhjetëra personalitete nga jeta akademike, politike dhe shoqërore që mund të konsiderohen për këtë post, përfshirë edhe persona që kanë kontribuar në luftë dhe në procesin e shtetndërtimit.

Deklaratat e Kurtit vijnë një ditë pasi LDK-ja njoftoi tërheqjen nga negociatat me LVV-në për ndarjen e posteve institucionale. LDK-ja ka deklaruar se nuk kërkon poste, por do të mbështesë një figurë jopartiake për president.

Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja vijuan të premten qëndrimin në sallën e Kuvendit, në një situatë të ngërçit politik që lidhet edhe me zgjedhjen e presidentit të ri.

Kurti po kërkon që partitë të arrijnë një dakordësi përpara se vendi të shkojë në një proces të ri zgjedhor./Versus.al

 

 

Poll