AKTUALITET /

Në përvjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, shtëpia e shkrimtarit hapet si muze

Në 93-vjetorin e lindjes së tij, janë çelur mjediset e “Shtëpisë Studio Agolli”, pjesë e strukturës muzeu vendor “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”.

Shkruar nga Versus

Në përvjetorin e lindjes së Dritëro Agollit, shtëpia e

Në 93-vjetorin e lindjes së tij, janë çelur mjediset e “Shtëpisë Studio Agolli”, pjesë e strukturës muzeu vendor “Shtëpia Studio Kadare-Agolli”. Në këtë muze janë prezantuar një pjesë të historisë dhe kulturës materiale e shpirtërore, duke pasqyruar jetesën e shkrimtarit shumë të njohur për publikun, si brenda edhe jashtë vendit.

Elona Agolli, vajza e Dritëro Agollit, tha se ishte shumë mirënjohëse për këtë vendim, teksa u shpreh se është e bindur se për çdo vizitorë do të jetë eksperiencë e paharrueshme dhe e pazëvendësueshme me asgjë tjetër.

“Do të doja shumë që im atë të ishte në jetë dhe ai të ishte udhërrëfyesi i këtij muzeu, të na lexonte librin e hapur të jetës së tij. Gjithsesi, unë kam shumë besim se secili vizitor i këtij muzeu do të ketë eksperienca të paharrueshme dhe të pazëvendësueshme me asgjë tjetër, pasi ky nuk është një muze i thjeshtë. Aty nuk kuptohet vetëm historia dhe biografia, epoka e jetuar nga shkrimtari, por aty ndjehet dhe fryma e tij. Sot uroj dhe përgëzoj Erionin, Kryetarin e Bashkisë, i cili ishte nismëtari i këtij projekti të bukur. Ai në asnjë çast nuk ndali së besuari në misionin e lartë të nismës, edukues për brezat në radhë të parë, por dhe pasurues të shpirtit dhe nxitës të përparimit dhe të civilizimit”, deklaroi Elona Agolli.

Nga ana tjetër, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se sot familja e Dritëroit janë të gjithë shqiptarët kudo ku janë.

“Jam vërtet i emocionuar sepse është një rikthim në një hapësirë për qytetin. Më shumë se shtëpia e tij, kjo ka qenë një zyrë pritje e popullit, aspak tradicionale. Njerëzit te Dritëroi shihnin një institucion. Ne të gjithë kemi ecur mbi supet e gjigantëve, prandaj jemi këtu sot. Pa supet e tyre, ne do kishim ngelur akoma një vend i shtypur, i izoluar. Ndaj, do të doja shumë që ky vend të ishte një oaz refektimi. Sot familja e Dritëroit është gjithë Tirana, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, edhe të huajt që kanë një tërheqje për të njohur vendin tonë, nga ky turizëm i jashtëzakonshëm”, deklaroi Veliaj./Versus.al

Poll