
Ditën e djeshme bëri bujë lajmi se Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke nisur nga shtatori, nuk do të lejonte më mediat në seancat gjyqësore si dhe do të ndalonte filmimin para nisjes së gjyqeve.
Rregullorja e hartuar nga kryetari i GJKKO, Erion Bani përmban disa kufizime edhe për avokatët sa i takon përdorimit të mjeteve teknologjike. E njëjta gjë nuk do të lejohet as për gazetarët të cilët do të duhet të dorëzojnë kërkesë me shkrim 24 orë përpara për të ndjekur seancë gjyqësore.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë e ka quajtur këtë rregullore kufizim të lirisë së medias duke argumentuar se drejtuesi i GJKKO e sheh median si rrezik për procesin gjyqësor.
‘’UGSH vlerëson se këto dy dokumenta ekspozojnë bindjen e hartuesve dhe drejtuesve të këtij institucioni se media përbën një rrezik për procesin gjyqësor dhe për këtë arsye kanë krijuar një kapitull dhe pika specifike penguese e kufizuese për gazetarët, operatorët dhe mjetet profesionale të tyre në sallat e gjykimeve dhe mjediset e institucionit në fjalë.
Nga leximi i plotë i teksteve në fjalë, UGSH vëren se kërkesa për autorizim paraprak, kushtëzon praninë e mediave dhe e trajton aksesin nga një e drejtë në një leje administrative. Sipas kësaj procedure, po për seancat e papritura apo zhvillime të befta, kur media nuk mund të përmbushë afatin e përcaktuar në këtë rregullore, a nuk kemi precedentin e kufizimit pengues?!’’- thuhet mes të tjerash në deklaratë.
Gjithashtu Federata Evropiane e Gazetarëve e cilëson të papranushme rregulloren e re të GJKKO-së që censuron mediat. Versus.al

