
Katër vatra zjarri janë shuar gjatë dy ditëve të fundit në Has dhe Tropojë, ndërsa ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve, strukturave të emergjencave dhe banorëve ka parandaluar përhapjen e flakëve.
Në Has, vatrat janë evidentuar në pyje dhe kullota në fshatin Perollaj, në Njësinë Administrative Golaj, si dhe në fshatin Cahan, në Njësinë Administrative Krumë.
Ndërkohë, në Tropojë janë regjistruar zjarre në fshatin Dushaj, në Njësinë Administrative Fierzë, dhe në Sopot, në Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër.
Pavarësisht terrenit të vështirë malor, ekipet në terren kanë arritur të izolojnë dhe shuajnë zjarret. Nga flakët janë djegur shkurre dhe mbeturina, ndërsa nuk raportohen dëmtime në sipërfaqe pyjore apo bimësi.
Autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht për shkak të temperaturave të larta dhe rrezikut të shtuar për përhapjen e zjarreve.
Ndërkohë, zjarrfikësit e Bashkisë Kukës i janë bashkuar operacionit në Lurë, ku po vijon puna për izolimin e zjarrit. Ekipet kanë transportuar ujë në terren dhe po mbështesin forcat e angazhuara në zonën malore.
Në operacionin në Lurë janë angazhuar edhe mjete dhe kapacitete të tjera, me synim parandalimin e përhapjes së flakëve në sipërfaqe të reja./Versus.al

