
Pas disa seancave të shtyra, sot Gjykata e Posaçme do të vendosë nëse dosja e kryebashkiakut të Tiranës, do të kalojë ose jo për gjykim. Mundësia tjetër është që të kthehet për plotësim hetimesh.
I pranishëm në sallën e gjyqit është vetë Erion Veliaj i cili në seancat e kaluara kishte zgjedhur të mos paraqitej, por të përfaqësohej nga avokatët e tij.
Kreu i bashkisë Tiranë mbahet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti. Ndaj Veliajt rëndojnë akuzat për kryerjen e 5 veprave penale: korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli. Javë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës me arsyetimin se nuk ishin ndjekur hapat e nevojshëm si ai i paraqitjes së tij në sallën e këshillit bashkiak ku mund të shprehte pretendimet që kishte.
Tashmë Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese edhe për masën e sigurisë duke kërkuar lirimin e tij nga burgu, gjë të cilën e ka kërkuar edhe kryeministri Edi Rama gjatë daljeve të tij pas vendimit që Kushtetuesja dha për bashkinë e Tiranës. Versus.al


