
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për shtetasen turke Julide Yazici, 32 vjeçe, e cila u arrestua më 4 gusht në aeroportin e Rinasit, pasi rezultonte e shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Ankara.
Yazici, me profesion mësuese dhe rezidente në Francë, është dënuar nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda të Stambollit me 4 vite e 2 muaj burgim për veprat penale “Dhënie ndihme logjistike për organizatë terroriste” dhe “Pjesëmarrje në organizatë terroriste”. Sipas vendimit të Gjykatës së Tiranës, asaj i kanë mbetur për të vuajtur 3 vite, 5 muaj e 22 ditë burgim.
Në seancën e zhvilluar më 7 gusht, Prokuroria kërkoi vleftësimin e ligjshëm të arrestit të përkohshëm dhe caktimin e masës “arrest në burg” për qëllime ekstradimi në Turqi.
Mbrojtja e 32-vjeçares kërkoi një masë më të butë, konkretisht “arrest në shtëpi”. Vetë Yazici, përmes përkthyesit të gjuhës turke, deklaroi se çështja ndaj saj kishte nisur rreth 10 vite më parë dhe se prej 8 vitesh jeton e punon si mësuese në Francë.
Ajo tha në gjykatë se kishte udhëtuar edhe më parë drejt Shqipërisë pa pasur probleme dhe se këtë herë kishte ardhur për pushime. Yazici kërkoi që të mos mbahej në burg gjatë procedurës së ekstradimit.
Gjykata, pasi shqyrtoi aktet e paraqitura nga Prokuroria, vlerësoi si të ligjshëm arrestimin e përkohshëm dhe vendosi masën “arrest në burg” për efekt ekstradimi.
Në vendimin e saj, gjykata argumenton se ekziston një urdhër ndërkombëtar arresti, se në të përcaktohet qëllimi i ekstradimit dhe se mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Turqisë ekziston marrëveshje për ekstradimin.
Sipas vendimit, arrestimi i Yazicit u krye nga Policia Gjyqësore në Komisariatin e Policisë Rinas, pas shpalljes së saj në kërkim ndërkombëtar me kartelë të kuqe.
Ndërkohë, të hënën mbrojtja pritet të ankimojë vendimin në Gjykatën e Apelit, duke kërkuar zëvendësimin e masës “arrest në burg” me “arrest në shtëpi”.
Gjatë qëndrimit në burg, Yazici është kontaktuar gjithashtu nga përfaqësues të Komitetit Shqiptar të Helsinkit. Procedura tashmë vijon në kuadër të kërkesës për ekstradimin e saj drejt Turqisë.

