
Tiranë- Banorët në Babrru kanë dalë sot në protestë kundër ndërtimit të fabrikës së municioneve “Kayo” për prodhim armatimesh. Ata pretendojnë se po u zaptohen pronat që kanë në vendin ku është planifikuar të ndërtohet fabrika e municioneve.
Njëri prej tyre teksa foli për mediat tregoi sesi prona ishte privatizuar pas shembjes së regjimit komunist dhe se hipoteka u kishte dhënë disa qytetarëve certifikatë pronësie.
“Në vitin 70 u ndërtua një repart ushtarak që ka qenë servis makinash për ministrinë e Mbrojtjes të atij sistemi. Në ’93-in u larguan punëtorët. Duke qenë se kjo pronë para se të ndërtohej reparti ushtarak, ka qenë pronë e familjes Dervishi se e vërteton dokumenti, jo unë, shtabi i përgjithshëm i dërgon shkresë hipotekës dhe hipoteka i thotë me trashëgimtarë e emra e mbiemra që këta janë pronarë legjitim të kësaj pasurie.
Shkuam tek hipoteka dhe më thanë: unë me më dhënë urdhër jo kryeministri, po Zoti nuk shkoj dot në burg. ajo pronë do dalë në afishim publik dhe do jeni palë në gjykatë me ministrinë e Mbrojtjes”- u shpreh qytetari mes të tjerash.
Sipas tij, vetë kryeministri dhe Ardi Veliu, administrator i kompanisë “Kayo” janë përgjegjës për këtë situatë të krijuar.
“Përgjegjës për këtë këtu është direkt Edi Rama bashkë me Ardi Veliun. E dinë shumë mirë shqiptarët që është një institucion që duhet ministria e Mbrojtjes. Kompania “Kayo” brenda për brenda ministrisë. Kjo është vjedhje ashiqare fare. Nuk shkon kështu, duhen banorët të pyeten. Vetëm vdekja do më ndajë nga prona. Jam shumë i vendosur për këtë punë. Po jam edhe aq i vendosur që kjo punë të mos realizohet për komunitetin. Nuk dua lekë që të pasurohem unë e të vdesë komuniteti se unë me këtë komunitet jetoj”- shtoi më tej banori. Versus.al
