Elbasan- Dy persona janë arrestuar nga policia për vrasjen e biznesmenit Edmond Hyka alias Mondi Mëhalla mbrëmjen e së dielës në karburantin në pronësi të tij “Xhaxhi Oil”. Në pranga ka rënë roja i karburantit i cili akuzohet për pengim hetimesh dhe ish-ortaku i Hykës me të cilin viktima dyshohet se ka patur konflikte së fundmi.
Ndërkohë në kërkim është një person i dyshuar si autori kryesor i vrasjes, emri i të cilit nuk bëhet me dije për shkaqe të hetimeve.
Dje u shoqërua në polici Naldi Gjini i cili është personi i fundit që ka përdorur automjetin që u përdor për vrasjen e viktimës. Ndaj tij nuk është lëshuar ndonjë urdhër arresti, por mësohet se është marrë në pyetje për konfliktet që i ndjeri mund të ketë patur.
Mjeti tip “Audi” që u gjet i shkrumbuar ishte nën pronësi të kompanisë së viktimës i cili gjithashtu jepte makina me qira. Policia po heton për konfliktet që viktima ka patur me ish-ortakun e tij për çështje biznesi. Versus.al

