AKTUALITET /

Vrau 13-vjeçaren shqiptare në Itali/ Prokuroria ul me 2 vjet dënimin ndaj autorit të vrasjes së Aurora Tilës. Reagon nëna e viktimës

Avokati i nënës së Aurorës, Emilio Malaspina, deklaroi se familja nuk është dakord me vendimin, duke theksuar moshën e mitur të viktimës dhe rëndësinë e çështjes.

Shkruar nga Versus

Vrau 13-vjeçaren shqiptare në Itali/ Prokuroria ul me 2 vjet

Gjykata e Apelit e Bolonjës ka ulur nga 17 në 15 vjet dënimin për autorin e vrasjes së 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila, e cila humbi jetën më 25 tetor 2024 në Piacenza, pasi u hodh nga ballkoni.

Vendimi është marrë nga seksioni për të miturit i Gjykatës së Apelit të Bolonjës, ndërsa familja e viktimës ka shprehur pakënaqësi për uljen e dënimit.

Avokati i nënës së Aurorës, Emilio Malaspina, deklaroi se familja nuk është dakord me vendimin, duke theksuar moshën e mitur të viktimës dhe rëndësinë e çështjes.

“Aurora ishte 13 vjeçe, viktima më e re në moshë e femicidit në Evropë”, deklaroi avokati, duke shprehur kritika ndaj kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për uljen e dënimit.

Pas vendimit ka reaguar edhe nëna e 13-vjeçares, Morena Corbellini, e cila e ka kundërshtuar ashpër uljen e dënimit.

“Pastaj pretendojmë që femicidet të pakësohen? Ato do të shtohen gjithnjë e më shumë dhe edhe të miturit do të vrasin gjithnjë e më shumë, derisa shteti të ndërhyjë në mënyrë të vendosur dhe të drejtë. Gjithmonë do të bëhet më keq, vendimet jepen shkel e shko”, u shpreh ajo.Gjykata e Apelit për të miturit njohu rrethanat e përgjithshme lehtësuese dhe vendosi se ato ishin të barasvlershme me rrethanat rënduese të vrasjes.

Në dosje janë marrë në konsideratë edhe fakti se autori ishte i mitur në kohën e krimit, si dhe akuzat për përndjekje (stalking) dhe ekzistenca e një marrëdhënieje sentimentale me viktimën.

Prokuroria e Përgjithshme, përmes prokurores Silvia Marzocchi, kishte kërkuar një dënim prej 15 vjetësh e 6 muajsh, duke marrë parasysh edhe rrethanat lehtësuese pas rrëfimit të të riut, i cili kishte pranuar autorësinë e krimit.

Ndërkohë, Prokuroria kishte argumentuar se dënimi prej 17 vitesh i dhënë në shkallën e parë ishte llogaritur në mënyrë formalisht të pasaktë. Sipas këtij argumentimi, dënimi ishte përllogaritur duke nisur nga 25 vite burg për veprën e vrasjes, ndërsa baza duhej të ishte 24 vite.

Më pas, kjo masë duhej të reduktohej me një të tretën për shkak të procedurës së gjykimit të shkurtuar.

Poll