Myftiu i Tiranës, Gazment Teqja ka zbuluar në emisionin “Opinion” se vlera e xhamisë së Namazgjasë që u inagurua dje në një ceremoni ku ishte i pranishëm edhe presidenti turk Erdogan, kap shifrën e 35 milionë eurove të investuara.
Mes të tjerash, Teqja zbuloi edhe arsyen pse kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar nuk ishte i pranishëm në ceremoninë e inagurimit, duke shuar kështu të gjitha dyshimet mbi një përplasje të tij me presidentin turk.
“Kryetari i Komunitetit Mysliman nuk ka qenë në Shqipëri, ka qenë në udhëtim në dijeninë time. Më kanë caktuar mua si myftiu i Tiranës brenda të gjitha rregullave sepse myftiu i Tiranës është ai që menaxhon dhe kontrollon aktivitetin fetar dhe të gjithë kultet në rrethin e Tiranës. Nga ana e rregullores, mua më takon që ta menaxhoj”- u shpreh imami Teqja.
Ai zbuloi gjithashtu se ka qenë shteti shqiptar që ka bërë kërkesën për ndërtimin e xhamisë dhe se ka meritë për shpronësimet e pronarëve të tokës në një vlerë prej 10 milionë eurosh.
“Kjo është histori krejt tjetër nga ajo e xhamisë që do bëhej pas Pallatit të Kulturës. Ka qenë dëshira e kryeministrit që të bënte një xhami moderne, ajo nuk u realizua. Tani, kur u bë kërkesa, mesa di unë, kërkesën e ka bërë shteti shqiptar, pala shqiptare për nevojat e Komunitetit Mysliman ja ka bërë Turqisë se ne e kishim të pamundur me këto vlera që kap xhamia. Edhe shteti shqiptar ka kontributin e vet sepse një pjesë të pronës e ka shpronësuar rreth 10 mln Euro mesa kujtoj unë. Nuk plotësohej me tokën që kishim ne”- shtoi imami.
Ndërsa kjo deklaratë e myftiut të Tiranës bie disi në kundërshtim me atë të bërë nga nënkryetari i KMSH, Taulant Bica i cili në përgjigjie të pyetjes për mungesën e kreut të KMSH në inagurim, tha se ishte gjykuar e arsyeshme që vetëm Teqja të ishte i pranishëm në këtë event. Versus.al