BOTA /

Arrestohet agjenti i FBI-së, vodhi gati 1 milion dollarë në kriptomonedha

Shkruar nga Versus

Arrestohet agjenti i FBI-së, vodhi gati 1 milion dollarë në

Një agjent i FBI-së është arrestuar në Shtetet e Bashkuara, nën akuzën se ka vjedhur më shumë se 900 mijë dollarë në kriptomonedha nga llogari të sekuestruara gjatë një hetimi zyrtar.

Sipas raportimeve të CNN, agjenti është identifikuar si Patrick Steven Yaroch, 37 vjeç, pjesë e një ekipi të sigurisë kombëtare që hetonte aktivitetet e një shteti armiqësor.

Autoritetet dyshojnë se Yaroch ka shfrytëzuar aksesin që i jepte detyra e tij në sistemet e FBI-së për të transferuar fondet e sekuestruara në një llogari personale.

I marrë në pyetje për veprimet e tij, agjenti dyshohet se ka deklaruar se ishte i frustruar me mënyrën se si po zhvillohej hetimi dhe me pamundësinë për të ndërmarrë veprime më të drejtpërdrejta.

Rasti u zbulua pasi FBI identifikoi një transfertë të dyshimtë dhe nisi menjëherë një hetim të brendshëm, i cili çoi në arrestimin e agjentit.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu një tjetër detaj të pazakontë. Rreth një muaj para arrestimit, Yaroch kishte përdorur ChatGPT për të kërkuar këshilla mbi mënyrën se si mund t’u shmangej autoriteteve amerikane dhe të niste një jetë të re jashtë vendit.

Sipas të dhënave të hetimit, ai kishte pyetur për vende ku mund të zhvendosej me rreth 1 milion dollarë dhe të siguronte shtetësinë e një vendi të Bashkimit Evropian.

Ndër zonat e sugjeruara ishin Cilento në Itali dhe Dão në Portugali, të konsideruara si alternativa të përshtatshme për një jetë më të qetë dhe të lidhur me bujqësinë ose vreshtarinë.

Planet e agjentit dyshohet se u ndërprenë pas zbulimit të transfertave dhe ndërhyrjes së autoriteteve. Ndaj tij rëndojnë akuza për vjedhjen e pasurisë së sekuestruar dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare./Versus.al

Poll