Rusia nuk ka ndërmend të shkojë në luftë me vendet evropiane, por nëse Evropa fillon një luftë, Rusia është “gati tani”, tha Vladimir Putin, duke shtuar se në një rast të tillë, Moska nuk do të ketë “askënd me të cilin të negociojë”.
Presidenti rus akuzoi udhëheqësit evropianë se po “pengojnë” propozimet e SHBA-së dhe se “nuk kanë një axhendë paqësore”, dhe i hodhi poshtë propozimet e tyre si “të papranueshme”.
Paralajmërimet e reja të Vladimir Putin erdhën pak para se ai të takohej me një delegacion amerikan për Ukrainën në Kremlin. Delegacioni përbëhet vetëm nga i Dërguari Special i Donald Trump, Steve Witkoff , dhe dhëndri i Presidentit të SHBA-së, Jared Kushner.
Në të njëjtën kohë, Putin theksoi se sulmet ndaj anijeve cisternë në Detin e Zi përbëjnë "pirateri", duke e bërë të qartë se nëse ato vazhdojnë, Moska mund t'i zgjerojë sulmet e saj në portet ukrainase./Versus.al
