Ministrat e Mbrojtjes të vendeve të Grupit të Shtatë vendeve më të zhvilluara industriale (G7) mbështesin "rrugën e pakthyeshme të Ukrainës drejt integrimit të plotë euroatlantik, duke përfshirë anëtarësimin në NATO", siç thanë ata në një deklaratë të lëshuar sot. "Ne theksojmë synimin tonë për të vazhduar ofrimin e ndihmës për Ukrainën, duke përfshirë ndihmën ushtarake në afat të shkurtër dhe afatgjatë" në konfliktin e saj me Rusinë, tha G7 pas takimit në Napoli, Itali.
Ministrat e Mbrojtjes të G7 bënë thirrje gjithashtu për një "rritje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme" të ndihmës humanitare për Rripin e Gazës, i cili po përballet me një krizë të rëndë ushqimore për shkak të luftës Hamas-Izrael.
"Vendet e G7 mbështesin nevojën për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza, lirimin e të gjithë pengjeve, një rritje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme të flukseve të ndihmave humanitare në të gjithë Rripin e Gazës dhe një rrugë të qëndrueshme drejt një zgjidhjeje me dy shtete," thanë ata në deklaratën e tyre të përbashkët.
Ministrat e mbrojtjes të G7 shprehën gjithashtu shqetësimin për "kërcënimet" kundër misionit paqeruajtës të OKB-së në Liban (UNIFIL), të cilin Izraeli e akuzon se synon qëllimisht pozicionet e tij pas përshkallëzimit të dhunës me lëvizjen islamike libaneze Hezbollah.
Vendet e G7 janë “të shqetësuara nga zhvillimet e fundit në Liban dhe rreziku i përshkallëzimit të mëtejshëm. Shprehim shqetësimin tonë për të gjitha kërcënimet ndaj sigurisë së UNIFIL-it. Mbrojtja e paqeruajtësve është një detyrim i të gjitha palëve në konflikt”, thuhet në deklaratë.
Italia mban presidencën e vitit 2024 të G7, ku përfshihen gjithashtu Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Britania, Franca, Gjermania dhe Japonia. Në bisedimet në Napoli morën pjesë edhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe ministri ukrainas i Mbrojtjes.