
Një shpërthim ka tronditur në orët e para të mëngjesit të së mërkurës zonën pranë stacionit qendror të trenit në Augsburg, Gjermani.
Ngjarja ka ndodhur brenda një kalimi të një godine pranë stacionit, ku ka shpërthyer një objekt, identiteti i të cilit ende nuk është përcaktuar nga autoritetet. Si pasojë e valës së shpërthimit, disa persona kanë marrë dëmtime të lehta, ndërsa janë shkaktuar dëme edhe në xhamat e ndërtesave përreth.
Pas incidentit, policia ka ndërhyrë menjëherë duke izoluar zonën dhe duke vendosur kufizime në lëvizje për arsye sigurie. Linja 1 është pezulluar përkohësisht, ndërsa trafiku hekurudhor në linjat e tjera ka vijuar.
Për të shmangur zonën e rrezikut, udhëtarëve u është kërkuar të përdorin hyrjet veriore dhe jugore të stacionit.
Shpërthimi ka sjellë edhe vështirësi në qarkullimin rrugor dhe transportin publik. Disa akse pranë stacionit janë mbyllur, ndërsa janë paralajmëruar vonesa në shërbimet e autobusëve, tramvajeve dhe trenave.
Autoritetet gjermane ende nuk kanë dhënë detaje mbi natyrën e objektit që shkaktoi shpërthimin apo rrethanat e incidentit. Policia ka nisur hetimet për të përcaktuar se si ndodhi ngjarja dhe nëse pas saj qëndron një akt i qëllimshëm./Versus.al

