BOTA /

Tronditet Italia/ Prindërit vr*sin vajzën 5-vjeçare me aftësi të kufizuar, kryejnë vetëvr*sje pas aktit të rëndë

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, të tre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri.

Shkruar nga Versus

Tronditet Italia/  Prindërit vr*sin vajzën 5-vjeçare me

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Romën, ku një çift dhe vajza e tyre 5-vjeçare janë gjetur të pajetë në banesën e familjes, në zonën e Pietralatës.

Alarmi është dhënë të hënën, më 31 gusht, pasi familjarët e Luca Abbassiano, 42 vjeç, dhe Valentina Pambianco, 41 vjeçe, nuk kishin mundur të kontaktonin me ta për disa orë.

Policia dhe zjarrfikësit kanë mbërritur në banesë rreth orës 13:00. Pas hapjes me forcë të derës, efektivët kanë gjetur trupat e tre anëtarëve të familjes në shtrat.

Sipas të dhënave paraprake të hetimit, të tre kishin plagë të shkaktuara nga armë zjarri. Autoritetet po hetojnë hipotezën se vajza është vrarë nga njëri prej prindërve dhe më pas dy të rriturit kanë kryer vetëvrasje.

Në banesë janë gjetur edhe disa letra të lëna për familjarët dhe të afërmit. Në to përfshiheshin kërkimfalje, shpjegime dhe udhëzime për të ardhmen.

Në njërën prej letrave, Luca i kërkonte motrës së tij, e cila kishte njoftuar autoritetet për mungesën e kontaktit me familjen, që të kujdesej për babanë.

Ndërsa në një tjetër mesazh, çifti kishte shkruar: “Nuk mund ta bëjmë këtë vetëm.”

Vajza e çiftit kishte lindur para kohe në vitin 2021 dhe, sipas raportimeve të mediave italiane, përballej me probleme të shumta shëndetësore dhe aftësi të kufizuara.

Fqinjët kanë treguar se prindërit ishin shumë të përkushtuar ndaj vajzës, por gjendja e saj shëndetësore kishte sjellë vështirësi të mëdha për familjen.

Autoritetet italiane vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe dinamikën e vdekjes së tre anëtarëve të familjes.

Poll