
Mbi 350 mijë persona kanë mbushur rrugët e Beogradit për t’i bërë homazh Ratko Mladiçit, ish-gjeneralit të ushtrisë serbe të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe gjenocid gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Qindra qytetarë u mblodhën që në orët e para të mëngjesit pranë kishës së Shën Lukës Apostull, ku për rreth pesë orë arkivoli i Mladiçit qëndroi i hapur për homazhe.
Rreth mesditës, Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, drejtoi ceremoninë mortore. Arkivoli u mbajt fillimisht mbi supe dhe ishte mbështjellë me flamurin serb, ndërsa më pas u vendos në kishë për homazhet e fundit.
Ceremonia është shoqëruar me reagime të forta ndërkombëtare, veçanërisht nga Bashkimi Evropian. Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi vizitën e saj në Serbi, duke argumentuar se glorifikimi i një personi të dënuar për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet procesi i anëtarësimit në BE.
Në ceremoninë mortore kanë marrë pjesë edhe disa zyrtarë të lartë të qeverisë serbe, mes tyre ministri i Drejtësisë, Nenad Vujić, ministri i Kulturës, Nikola Selaković dhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Darko Glišić.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç nuk ndodhet në ceremoni, pasi është angazhuar në vizitën shtetërore të presidentit të Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev. Megjithatë, në ceremoni është i pranishëm djali i tij, Danilo Vuçiç.
Prania e shtetit serb është evidentuar edhe përmes një roje nderi ushtarake, e cila ka rrethuar arkivolin e Mladiçit. Në kishë janë ekspozuar gjithashtu medaljet dhe dekoratat e ish-gjeneralit, së bashku me kapelën e tij ushtarake.
Pas përfundimit të ceremonisë, trupi i Ratko Mladiçit do të transportohet me procesion drejt varrezave të Topçiderit, ku do të kryhet varrimi.
View this post on Instagram

