
Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Rremull të Burrelit, ku një 89-vjeçar është djegur rëndë pasi dyshohet se vajza e tij 43-vjeçare e ka lyer me benzinë dhe më pas i ka vënë flakën.
I moshuari, i identifikuar si Adem Mara, ndodhet aktualisht në një spital në Tiranë, ku po merr trajtim mjekësor për shkak të djegieve të rënda që ka pësuar në trup.
Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë, ndërsa rasti është denoncuar në polici nga fqinjët, të cilët kanë ndërhyrë për t'i dhënë ndihmën e parë 89-vjeçarit.
Pas njoftimit, policia kriminale e Burrelit ka nisur hetimet dhe ka ndaluar vajzën e të moshuarit, 43-vjeçaren Majlinda Mara.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura shkaqet dhe motivet që dyshohet se e kanë çuar 43-vjeçaren të lyejë me benzinë dhe t'i vërë flakën babait të saj.
Ndaj Majlinda Marës është ngritur akuza për veprën penale të “Vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë.
Hetimet për ngjarjen po ndiqen nga Prokuroria e Dibrës, ndërsa pritet që në ditët në vijim 43-vjeçarja të dalë para gjykatës për t'u njohur me masën e sigurisë “Arrest në burg”, të kërkuar nga prokuroria.

