EKONOMI & MJEDIS /

EUROSTAT: Në korrik, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën pesë herë më shpejt se në BE

Sipas renditjes së Eurostat, Shqipëria u pozicionua në vendin e pestë ndër 36 vendet europiane për rritjen e çmimeve të ushqimeve

Shkruar nga Versus

EUROSTAT: Në korrik, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri vijojnë të rriten me ritme dukshëm më të larta se në vendet e Bashkimit Europian. Të dhënat e Eurostat tregojnë se gjatë korrikut 2026, ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan me 3.2% në Shqipëri, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Në të njëjtën periudhë, në Bashkimin Europian rritja e çmimeve të ushqimeve ishte vetëm 0.6%, çka do të thotë se ritmi i shtrenjtimit në Shqipëri ishte rreth pesë herë më i lartë.

Ndërsa në Shqipëri inflacioni i ushqimeve u përshpejtua nga 2.9% në qershor në 3.2% në korrik, në BE tendenca ishte e kundërt. Norma e rritjes së çmimeve të ushqimeve ra nga 1% në qershor në 0.6% në korrik.

Sipas renditjes së Eurostat, Shqipëria u pozicionua në vendin e pestë ndër 36 vendet europiane për rritjen e çmimeve të ushqimeve. Në nivele më të larta u renditën vetëm Turqia me 37.6%, Rumania me 4.6%, Qipro me 4.5% dhe Islanda me 4.4%.

Ushqimet, një nga faktorët kryesorë të inflacionit
Inflacioni i përgjithshëm i harmonizuar në Shqipëri arriti në 3.4% në korrik, nga 3.2% në qershor. Ushqimet dhe pijet joalkoolike patën kontributin më të madh, duke shtuar 1.09 pikë përqindje në normën e përgjithshme të inflacionit.

Sipas INSTAT, ushqimet përbëjnë 34.46% të shportës së konsumit, duke bërë që çdo rritje e çmimeve të produkteve bazë të reflektohet ndjeshëm në buxhetet familjare.

Në Bashkimin Europian, inflacioni i përgjithshëm ishte 3% në korrik. Megjithatë, rritja shumë më e ulët e çmimeve të ushqimeve tregon se presionet inflacioniste në Shqipëri janë më të përqendruara te produktet bazë të konsumit.

Shqipëria kryeson rajonin për shtrenjtimin e ushqimeve
Shqipëria regjistroi edhe normën më të lartë të rritjes së çmimeve të ushqimeve në Ballkanin Perëndimor gjatë korrikut.

Pas saj renditen Kosova me 2.7% dhe Mali i Zi me 2.3%. Në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, në të kundërt, çmimet e ushqimeve ranë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar.

Në Serbi rënia ishte 5.6%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 0.3%.

Edhe në disa vende të BE-së rritja ishte shumë më e moderuar. Në Bullgari ushqimet u shtrenjtuan me 1.2%, ndërsa në Kroaci dhe Greqi çmimet ranë përkatësisht me 0.1% dhe 0.4%.

Ushqimet në Shqipëri më të shtrenjta se mesatarja europiane
Problematika bëhet edhe më e dukshme kur çmimet krahasohen me të ardhurat dhe fuqinë blerëse.

Sipas të dhënave të Eurostat, në vitin 2025 çmimet e ushqimeve në Shqipëri arritën në 102.9% të mesatares së BE-së, nga 99.6% një vit më parë.

Kjo do të thotë se një shportë ushqimore që në BE kushton 100 euro, në Shqipëri kushton mesatarisht rreth 103 euro, sipas krahasimit të bazuar në fuqinë blerëse.

Në të njëjtën kohë, të ardhurat për frymë në Shqipëri janë vetëm 43% e mesatares europiane, ndërsa konsumi individual për frymë arrin në 48%.

Diferenca mes nivelit të çmimeve dhe të ardhurave e bën barrën e ushqimeve edhe më të madhe për familjet shqiptare. Pavarësisht peshës së lartë të bujqësisë në ekonominë vendase, konsumatorët vijojnë të përballen me çmime të larta për produktet bazë, duke shpenzuar një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave për ushqime./Monitor

Poll