
Numri i shtetasve të huaj që jetojnë në Shqipëri me leje qëndrimi ka shënuar një rritje të fortë gjatë vitit 2025. Sipas INSTAT, në fund të vitit në vend rezultonin 32 163 të huaj me leje qëndrimi, ose 46,6% më shumë se në vitin 2024.
Meshkujt përbëjnë 65% të totalit, ndërsa femrat 35%. Grup-mosha më e përfaqësuar është ajo 30–39 vjeç, e cila përbën 24,5% të të huajve me leje qëndrimi.
Evropa vijon të kryesojë si kontinenti me numrin më të madh të shtetasve të huaj në Shqipëri, me 17 022 persona ose 52,9% të totalit. Megjithatë, rritja më e ndjeshme është regjistruar te shtetasit nga Azia, numri i të cilëve është rritur me 117,6%, duke arritur në 9 891 persona.
Ndërkohë, shtetasit nga Amerika, Afrika dhe Oqeania janë rritur me 73,4%, duke arritur në 5 250 persona.
Punësimi arsyeja kryesore
Më shumë se gjysma e lejeve të qëndrimit janë dhënë për arsye punësimi, konkretisht 55,1% të totalit. Pas saj renditen bashkimi familjar me 19,8%, arsye të tjera me 14,1%, qëllimet humanitare me 7,9% dhe studimi me 3,1%.
Edhe aplikimet për leje qëndrimi kanë shënuar rritje. Në vitin 2025 ato u shtuan me 43,5% krahasuar me vitin 2024.
Kosova dhe Italia kryesojnë
Shtetasit e Kosovës dhe Italisë përbëjnë grupet më të mëdha të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri. Në shifra absolute, në vend rezultojnë 6 284 shtetas nga Kosova dhe 4 065 nga Italia.
Pas tyre renditen India me 2 886 shtetas dhe Filipinet me 2 401. Rritjen më të madhe gjatë një viti e kanë shënuar shtetasit nga Filipinet, me 136,1%, dhe ata nga India, me 87,6%.
INSTAT raporton gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë identifikuar 1 926 shtetas të huaj të parregullt, nga 1 540 në vitin 2024.
Të dhënat janë publikuar në raportin “Të huajt në Shqipëri, 2025”, bazuar në informacionet e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin të Policisë së Shtetit./Versus.al

