7
Rreth 314.9 milionë lekë, ose mbi 3.2 milionë euro, janë evidentuar si efekte negative në buxhetin e shtetit nga auditimet e përfunduara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026.
Sipas Buletinit Statistikor të KLSH-së, nga kjo shumë 84.3 milionë lekë janë klasifikuar si dëm ekonomik, ndërsa 230.5 milionë lekë si menaxhim joefektiv i fondeve publike. Dëmi ekonomik i konstatuar lidhet tërësisht me fushën e shpenzimeve.
Pjesa më e madhe e dëmit ekonomik, rreth 81.4 milionë lekë ose 97% e totalit, lidhet me shkelje në procedurat e prokurimit publik dhe zbatimin e punimeve e kontratave.
KLSH ka evidentuar, ndër të tjera, likuidime për punime të pakryera, mosllogaritje të kostove përfundimtare të shërbimeve të projektimit, si dhe punime që nuk përputheshin me specifikimet teknike.
Problematika janë konstatuar edhe në përgatitjen e dokumentacionit të tenderëve, përcaktimin e specifikimeve teknike dhe kritereve të vlerësimit, llogaritjen e vlerës së kontratave, përzgjedhjen e procedurave të prokurimit dhe shqyrtimin e ofertave.
Nga 230.5 milionë lekë të klasifikuara si menaxhim joefektiv, 126.2 milionë lekë lidhen me administrimin e të ardhurave, kryesisht për shkak të moszbatimit të detyrimeve që lidhen me lejet mjedisore.
Ndërkohë, 93.6 milionë lekë janë evidentuar te Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe agjencitë rajonale, ndërsa 32.6 milionë lekë te Universiteti “Aleksandër Moisiu”.
Në total, efektet negative në shpenzime kanë arritur në 188.6 milionë lekë, ku 84.3 milionë lekë përbëjnë dëm ekonomik dhe 104.2 milionë lekë menaxhim joefektiv. Brenda kësaj të fundit, 59.9 milionë lekë lidhen me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore përmes përmbaruesve privatë.
Sipas të dhënave të KLSH-së, ish-Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit rezulton me 62.2 milionë lekë dëm ekonomik dhe 56.5 milionë lekë menaxhim joefektiv. Ndërsa projekti për rikonstruksionin e rrugës në Tragjas rezulton me 15 milionë lekë dëm ekonomik.
Në katër muajt e parë të vitit, KLSH ka përfunduar 14 auditime në 34 subjekte dhe ka dhënë gjithsej 225 rekomandime. Nga këto, 58 rekomandime me efekte financiare rezultojnë të pranuara nga subjektet e audituara./Monitor

