EKONOMI & MJEDIS /

Kompensimi i naftës te Transporti Publik, operatorët kërkojnë zgjatjen me 3 muaj shtesë

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar Ministrisë së Financave me kërkesën që masa e parashikuar në VKM-në nr. 341 të vijojë edhe për tre muaj të tjerë, përkatësisht për qershor, korrik dhe gusht 2026.

Shkruar nga Versus

Kompensimi i naftës te Transporti Publik, operatorët

Rritja e çmimit të naftës ka rikthyer shqetësimin e operatorëve të transportit publik për kostot e operimit, ndërsa në tryezë është edhe kërkesa për zgjatjen e kompensimit prej 50 lekësh për litër.

Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas i është drejtuar Ministrisë së Financave me kërkesën që masa e parashikuar në VKM-në nr. 341 të vijojë edhe për tre muaj të tjerë, përkatësisht për qershor, korrik dhe gusht 2026.

Në përgjigjen e saj, Ministria e Financave ia ka përcjellë kërkesën Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për shqyrtim, duke bërë të ditur se është e gatshme të vlerësojë çdo propozim që do të paraqitet nga ky institucion.

“Financat shprehin gatishmërinë për të shqyrtuar çdo propozim”, thuhet në komunikimin mes dy ministrive.

Çështja është ngritur edhe më herët. Në një shkresë të 21 majit, Ministria e Financave kishte kërkuar trajtimin e kërkesës nga Ministria e Infrastrukturës dhe kishte shprehur të njëjtën gatishmëri për të shqyrtuar një propozim për vijimin e skemës.

Skema e miratuar në muajin maj parashikonte kompensim prej 50 lekësh për litër naftë për operatorët e transportit publik, për një periudhë tre mujore. Efekti financiar i masës është llogaritur në rreth 250 milionë lekë, të financuara nga fondi rezervë i buxhetit dhe buxheti i Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë, interesi për aplikimin për subvencionim ka qenë i ulët. Nga rreth 140 operatorë të transportit urban dhe ndërurban në vend, vetëm rreth 35 kanë aplikuar për të përfituar nga kompensimi.

Shoqatat e transportit argumentojnë se rritja e çmimit të karburantit po rëndon ndjeshëm kostot e operimit dhe, nëse situata vijon, mund të sjellë reduktim të numrit të mjeteve në qarkullim.

Tashmë pritet që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë të paraqesë propozimin konkret, mbi bazën e të cilit Ministria e Financave do të shqyrtojë zgjatjen e kompensimit për transportin publik./Monitor

Poll