Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Programin Kombëtar të Strehimit që pritet të nisë që nga viti 2027. Ai foli për banesa sociale me qira të cilat do të vihen në dispozicion të qytetarëve për t’u ardhur në ndihmë dhe shtoi se për këtë do të ketë ndërtime të reja si dhe përshtatje të objekteve të sekuestruara nga shteti. *Për çiftet e reja, Rama tha se për 4 mijë prej tyre që plotësojnë kushtet do të ketë ndihmë nga qeveria për kreditë e apartamenteve. Për 2 mijë çifte kreditë do jepen me interes 3% kur bëhet fjalë për të blerë apartamente me vlerë mbi 60 mijë euro dhe për 2 mijë çifte të tjera që duan të blejnë apartamente me vlerë nën 60 mijë euro, interesi bankar do të jetë zero. *Gjithashtu tha se për 3 mijë familje do të ketë subvencion përgjysmë të qirasë kur kjo e fundit është deri në 400 euro.
"Quhen kot të tillë, s'ka oligarkë këtu, por të pasur", Rama: Paguajnë taksa të larta për çdo ndërtim

Gjatë fjalës së tij për programin kombëtar të strehimit, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek ata që flasin për “oligarkë” në Shqipëri duke thënë se nuk ka persona të tillë në vendin tonë.
Rama tha se qeveria i ka taksuar ndërtuesit më shumë se çdo vend tjetër në rajon dhe se ky taksim duhej të shkonte për të ndihmuar në strehimin e personave të pamundur.
“Sepse njerëzit duhet ta kuptojnë se kjo qeveria ju ka vënë atyre që quhen kot më kot oligarkë, se nuk ka në Shqipëri oligarkë, ka të pasur… ju ka vënë taksën më të lartë të ndërtimit që ka rajoni. Nuk ka në rajon taksë ndërtimi. Kur njerëzit shikojnë një kullë apo pallat duhet të kuptojnë se kjo qeveria kur jep leje aty brenda ka futur taksa që nuk i paguan asnjë ndërtues në rajon. Pjesë e taksave është 3% nga shitjet e një pallati që shkojnë në fondin e strehimit për ata që nuk blejnë dot në atë pallat. A kemi ne luksin që 3%, të jetë një shumë marramendëse e akumuluar që rri kot? Çfarë është bërë, ku janë apartamentet e ndërtuara, ku janë apartamentet që duhet t’i kishin njerëzit? Janë aty, por nuk janë të përdorur”- u shpreh kreu i qeverisë. Versus.al
Veliaj në paraburgim për 13 akuza, Rama: Kokëprerje e padëgjuar në BE! E pësuan njerëzit që prisnin rindërtimin

Kreu i qeverisë, Edi Rama teksa foli për programin kombëtar të strehimit, u rikthye tek komenti për arrestimin e Erion Veliajt dhe lënien bosh të drejtimit të Tiranës. Duke e konsideruar si “kokëprerje të pashembullt”, Rama tha se viktima nga ky arrestim i Veliajt kanë qenë ata qytetarë që kanë pritur çelësat e banesave nga rindërtimi pas tërmetit shkatërrimtar të vitit 2019.
“Qëkur bashkisë së Tiranës iu pre koka për arsye që dihen dhe mosarsye që nuk dihen, mendoj se viktimat e para dhe më të pafajshme të kësaj kokëprerjeje të padëgjuar në historinë e BE dhe vendeve të Europës, ska asnjë rast, vetëm dy raste gjykata e Strasburgut të cilat në të dyja ka shpallur arbitrar mbajtjen në paraburgim të një kryetari në Hungari dhe në Turqi dhe është rasti i Shqipërisë që është shumë më i mbrapshtë. Kështu që heqja e kokës dhe eksperimenti social legal, ekonomik, politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë, ka sjellë shumë viktima. E kanë paguar me dëme kolosale kategori sociale në Tiranë ku më e prekura janë ata që presin tu jepet çelësi se janë viktima të tërmetit. Eksperiment totalisht i rëndë dhe i dështuar”- deklaroi Rama. Versus.al
“Për 2 mijë çifte kredi me interes zero në 2027”, Rama: Vlen për apartamentet nën 60 mijë euro

Kryeministri Edi Rama ka premtuar se në vitin 2027, do të ketë iniciativë të re nga qeveria për të mbështetur çiftet e reja. Ai tha se për 4 mijë çifte do të ketë ndihmë në përballimin e kredive për të blerë banesa. Sipas tij, për 2 mijë çifte do të ketë kredi me interes zero për apartamente me vlerë nën 60 mijë euro.
Ndërsa për 2 mijë çifte të tjera që marrin kredi për apartament me vlerë mbi 60 mijë euro, interesi i kredisë do jetë 3%.
“Po vazhdoj me politikat e reja të 2027-ës. Ne do pajisim 4000 çifte të reja me çelës shtëpie sipas kritereve që do të bëhen të qarta. Por këtu nuk hyjnë kreditë e lidhura me administratën, ato janë të tjera. 4 mijë çifte të reja të ndarë sipas kategorive janë 2 mijë kredi me interes zero. Pra për çdo apartament nën 60 mijë euro (këtu flasim për apartamente të vogla), për të nisur jetën me një çelës në dorë ne do të zerojmë kreditë. Ndërsa 2 mijë kreditë e tjera do jenë me interes vetëm 3% për apartamente që janë mbi 60 mijë euro. E tha ministrja, nuk synojmë të zgjerojmë thjesht programin e strehimit social. Sot përballemi me një problem botëror”- tha Rama. Versus.al
“Banesa sociale me qira”, Rama për ‘Rilindjen 2.0’: Do ketë ndërtime të reja dhe përshtatje të objekteve të sekuestruara

Kryeministri Edi Rama foli sot për programin kombëtar të strehimit në kuadër të Rilindjes 2.0. Ai tha se do të ketë banesa sociale që lëshohen me qira dhe se për këtë do të ketë ndërtime të reja apo përshtatje të objekteve të konfiskuara.
Sipas tij, do të ketë edhe banesa me kosto të ulët për të cilat, kredia do të subvencionohet nga shteti.
“Rilindja 2.0 është një vizion i ngritur në një nivel tjetër dhe strehimin e ka aspektin e vetë thelbësor. Janë 6 programe të reja të cilat ne do t’i adresojmë të gjitha së bashku dhe kur them të reja nuk kam parasysh shpikje sepse janë terma të njohur, por janë të ambalazhuar së bashku në një reformë tërësore.
Programi i parë është program i banesave sociale me qira. Është skemë e mirënjohur e përdorur në vite, por të cilin ne do ta qasim në një mënyrë të re. Dhënia e banesave sociale me qira do të jetë një program i cili do të bëhet më kompleks dhe jo thjesht dhe vetëm prit të ndërtohet edhe pastaj të kesh shansin të marrësh një banesë në një radhë të gjatë ku nuk i duhet si përfundon përzgjedhja. Banesa sociale me qira do të parashikojnë ndërtim të ri, blerje të drejtëpërdrejtë nga tregu, përshtatje e objekteve shtetërore ose atyre të konfiskuara.
Këtu dua të përsëris se kemi konfiskuar jo pak objekte dhe do të konfiskojmë çdo object që shkel lejet e ndërtimit. Do të përdorim të gjithë instrumentet për të garantuar një ofertë shumë më të gjerë nga ana e shtetit për ata që do të mund të marrin banesë sociale me qira. Pastaj vijmë tek banesa me kosto të ulët që është tjetër program që lidhet me subvencionin e kredisë nga ana e shtetit duke patur parasysh që banesa e kredituar të hyjë në kategorinë e banesave me kosto të ulët. Pastaj vijmë tek përmirësimi i banesave ekzistuese për grupet vulnerabël si dhe një program i veçantë infrastructure në zonat informale. Duam të kemi blloqe banimi dinjitozë për të gjitha shtresat”- tha Rama. Versus.al

