Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një shpërthim i fortë në zonën e Brryllit trondit qytetarët mëngjesin e sotëm. Shpërthimi u regjistrua në karburantin “Eida” ku mbetën të plagosur tre punonjës, ndërsa u shkatërrua Godina një katëshe ku ata qëndronin. *Tre të plagosurit u transportuan për në spitalin e Traumës ku po marrin ndihmë mjekësore dhe janë jashtë rrezikut për jetën. *Shkëlqim Goxhaj, drejtori i shërbimit zjarrfikës tha se shpërthimi mund të ketë ndodhur si pasojë e rrjedhjes së gazit tek zyra e karburantit.
Shpërthimi te "Eida", Goxhaj: Pati rrjedhje gazi! Përfaqësuesit e biznesit thonë se një makinë goditi pikën e karburantit

Shkëlqim Goxhaj, drejtor i shërbimit zjarrfikës foli për shpërthimin e ndodhur mëngjesin e sotëm në karburantin "Eida" në zonën e Brrylit ku mbetën të plagosur tre punonjës.
Goxhaj tha se flakët janë shkaktuar nga rrjedhja e gazit, ndërsa banorët pretendojnë se një automjet është përplasur me zyrat e karburantit.
“Në orët e para të mëngjesit kemi pasur shpërthim të gazit këtu te karburanti te ‘Brrlyli. Flakët u shkaktuan nga rrjedhja e gazit. Zjarrfikësit mbyllën rubinetin dhe ndaluan rrjedhjen e tij në pak minuta. Shpërthimi ka ndodhur në zyrat e pikës së karburanti. Përfaqësuesit e biznesit na thonë që një automjet mund ketë goditur zyrat e karburantit, por mbetet për t'u parë. Do ta hetojmë nëse ka qenë defekt teknik i karburantit”, tha Shkëlqim Goxhaj. Versus.al
Shpërthimi tek karburanti "Eida", ministria e Shëndetësisë: Tre punonjësit janë shtruar në spitalin e Traumës

Ministria e Shëndetësisë ka dhënë një informacion zyrtar lidhur me tre punonjësit e karburantit “Eida” të cilët mbetën të lënduar pas shpërthimit të fortë mëngjesin e sotëm.
Të tre po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Traumës dhe gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën.
“Pacientët V. H., R. A. dhe A. XH. ndodhen në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe janë nën kujdesin e ekipit mjekësor të Spitalit Universitar të Traumës.
Aktualisht, po kryhen ekzaminimet e nevojshme dhe vlerësimi i mëtejshëm i gjendjes së tyre shëndetësore, në përputhje me protokollet mjekësore”- thuhet mes të tjerash në njoftimin e ministrisë.
Paraprakisht dyshohet se shpërthimi ndodhi në depozitën e gazit, por po punohet për të zbardhur plotësisht ngjarjen. Versus.al
Shpërthen depozita e gazit të karburantit "Eida" në Tiranë, plagosen 3 punonjësit! Shkatërrohet godina 1-katëshe
Një shpërthim i fortë në një karburant, ka tronditur zonën e Brrylit në Tiranë gjatë mëngjesit të sotëm. Shpërthimi ndodhi në depozitën e gazit të karburantit "Eida".
Për pasojë, tre punonjësit e karburantit mbetën të plagosur. Njëri prej tyre mbeti i bllokuar për disa minuta derisa ndërhynë banorët për ta shpëtuar. Godina një katëshe ku qëndronin punonjësit dhe struktura e karburantit u shkatërruan si pasojë e shpërthimit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të ngjarjes. Versus.al

