Çfarë do të gjeni në brendësi
*Situata me zjarret në Shqipëri sa vjen e bëhet më e vështirë për shkak të temperaturave të larta dhe terrenit të vështirë për t’u aksesuar nga zjarrfikësit. Gjatë ditës së sotme, disa vatra zjarri janë përhapur ndjeshëm kryesisht në jug të vendit. *Në Mallakastër në fshatin Riban flakët dolën jashtë kontrollit gjatë natës dhe sot u ndërhy për herë të parë me avion zjarrfikës nga ajri. *Në Selenicë, Rrogozhinë e Qafë Mollë të Tiranës janë raportuar vatra të tjera zjarri që kanë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha toke dhe pyje.
Vatër zjarri në Selenicë, flakët përfshijnë pyllin me pisha

Vlorë- Një tjetër vatër zjarri është aktivizuar në fshatin Penkovë të bashkisë Selenicës.
Flakët kanë shpërthyer fillimisht në një pyll me pisha, ndërsa të favorizuara nga era janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë pjesërisht edhe një varrezë automjetesh pranë zonës.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, drejt vendngjarjes janë nisur forcat e shërbimit zjarrfikës për të vënë flakët nën kontroll dhe për të shmangur përhapjen e tyre në sipërfaqe të tjera. Nuk dihet ende se çfarë e ka shkaktuar zjarrin. Versus.al
Zjarret në Mallakastër, Rama nxjerr pamjet: Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin

Zjarri në fshatin Rriban të Mallakastrës pati përhapje të ndjeshme gjatë orëve të natës duke bërë që të ishte e domosdoshme ndërhyrja nga ajri. Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamjet e avionit zjarrfikës për të cilin shkruan se ka nisur punën.
''Avioni i parë zjarrfikës ka nisur aktivitetin si forcë e shtuar e këtij gushti sfidues, i cili na gjen më të fortë e të përgatitur se asnjëherë më parë por edhe plotësisht të vetëdijshëm, për largqoftë rrezikun e përshkallëzimeve ekstreme të zjarreve përtej fuqive tona, siç po ndodh në disa vende të mëdha të Europës aktualisht
RESPEKT dhe MIRËNJOHJE për të gjitha forcat tona në terren''- shkruan Rama mes të tjerash.
Më herët kryeministri ka deklaruar se në fund të këtij viti, Shqipëria do të blejë 3 avion zjarrfikës. Versus.al
Vatra aktive prej 10 ditësh, zjarri në Qafë Mollë të Tiranës shkrumbon 8 hektarë pyje

Situata në vend si pasojë e zjarreve të përhapura me ndihmën e temperaturave ekstreme, duket tejet problematike.
Në Qafë Mollë të Tiranës, në zonën e Zall Bastarit, prej 10 ditësh zjarret po shkrumbojnë sipërfaqe të mëdha pyjore.
Rezulton se flakët kanë djegur rreth 8 hektarë sipëraqe pyjore kryesisht me lisa dhe dushqe.
Terreni i vështirë malor, ka penguar ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse nga toka ndërkohë që për shuarjen e flakëve është angazhuar një helikopter. Versus.al
Zjarri në Mallakastër del jashtë kontrollit, kërkohet ndërhyrje nga ajri

Për të disatën ditë me radhë flakët në fshatin Rriban të Mallakastrës po shkrumbojnë sipërfaqe të mëdha toke. Gjatë natës, zjarri është përhapur ndjeshëm duke rrezikuar edhe masivin pyjor të fshatit Lofkënd.
Forcat e angazhuara janë përqendruar në dy drejtime, në Riban dhe Lofkënd, në përpjekje për të frenuar avancimin e flakëve.
Në terren ndodhen pesë mjete zjarrfikëse nga Mallakastra, Fieri, Roskoveci, Berati dhe Kuçova, 30 efektivë të shërbimit zjarrfikës, 35 forca bashkiake, dy autobotë me ujë, ndërsa pritet t’u bashkohen edhe 35-40 trupa të Forcave të Armatosura. Megjithatë për të vendosur situatën nën kontroll kërkohet ndërhyrje nga ajri. Versus.al

