Çfarë do të gjeni në brendësi
*Gjykata e Posaçme vendosi sot shtyrjen e seancës ku pritej të vendosej nëse dosja hetimore në ngarkim të Erion Veliajt do të kalonte apo jo për gjykim. Vendimi u mor pas miratimit të kërkesës së kryebashkiakut për më shumë kohë që të njihej me aktet hetimore. Seanca e radhës do të mbahet më 5 dhjetor në orën 09:00. *Në fjalën e tij, kryebashkiaku u ankua për mënyrën sesi po trajtohej duke u mbajtur në kafaz prej qelqi pavarësisht se kjo është një procedurë normale për të gjithë të pandehurit që dalin në seancë gjyësore. Ai pretendoi se janë shkelur rregullat për proces të rregullt ligjor ndaj tij. *Kjo ishte hera e parë që Veliaj shfaqej në seancë gjyqësore që pasi GJKKO konfirmoi masën e sigurisë “arrest me burg” në shkurt të këtij viti pasi SPAK e akuzonte për kryerjen e 4 veprave penale të cilave iu shtua edhe futja e sendeve të paligjshme në qeli.
Kërkoi kohë për t'u njohur me dosjen, GJKKO pranon kërkesën e Veliajt

Seanca ku do të vendoset nëse dosja e Erion Veliajt do të kalohet për gjykim ose jo është shtyrë për në datën 5 dhjetor në orën 09:00.
Shkak u bë kërkesa e Veliajt për t’u njohur me aktet hetimore të dosjes voluminoze prej 60 mijë faqesh. Ai tha se mungesa e njohjes së dosjes dhe mbajtja e tij në një kafaz gjatë seancës gjyqësore shkel të drejtat e njeriut dhe i mohon mundësinë për një mbrojtje cilësore.
Kjo ishte hera e parë që Veliaj paraqitej në seancën e GJKKO që pas konfirmimit të masës së sigurisë në shkurt të këtij viti. Versus.al
"S'jam i rrezikshëm", Veliaj ankohet në GJKKO: Poshtërim që më mbani në kafaz prej xhami

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka qenë sot i pranishëm për herë të parë në seancën që mbahet në GJKKO ku vendoset nëse dosja hetimore e tij do të kalojë apo jo për gjykim. Ai pretendoi se i është mohuar e drejta për të pasur një mbrojtje efektive.
Pavarësisht se është e njëjta procedurë që ndiqet me çdo të pandehur, Erion Veliaj u ankua për mënyrën sesi po mbahet në kafazin e qelqtë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore. Madje më tej pretendoi se nuk është njohur ende me dosjen voluminoze të SPAK e cila përbëhet nga 60 mijë faqe.
"Unë jam këtu i thirrur nga ana Juaj, për t’u mbrojtur, jo për t’u poshtëruar. Jam këtu si një i qytetar i një vendi demokratik dhe të lirë që kërkon të drejtën e tij, por gjithashtu edhe si Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i vetëdijshëm se ky proces prek jo vetëm lirinë time, por edhe parimet më themelore mbi të cilat ndërtohet drejtësia në këtë vend dhe për të cilat si një i votuar kam pjesën time të përgjegjësisë. Dua ta them qartë: drejtësia nuk ndërtohet mbi kafaze, nuk ndërtohet mbi perceptime kriminalizuese dhe nuk ndërtohet duke shkelur të drejtën themelore të mbrojtjes. Unë pres drejtësi me standarte evropiane ose refuzoj të bëhem pjesë e një procedure poshtëruese që nuk e meriton asnjë qytetar i këtij vendi"- është shprehur Veliaj ndër të tjera.
Deklarata e plotë:
E nderuara zonja Gjyqtare,
Është hera e parë që paraqitem personalisht në këtë fazë gjyqësore.
Dua ta nis duke e bërë të qartë se kjo vonesë nuk ka ardhur kurrë për mungesë respekti ndaj këtij trupi gjykues, as ndaj gjykatës, e aq më pak ndaj drejtësisë. Përkundrazi, pikërisht sepse besoj dhe e respektoj drejtësinë, pikërisht sepse e respektoj rolin e gjykatës dhe standardet që duhet të udhëheqin një proces të drejtë, kam kërkuar pa asnjë ndërprerje, në gjithë këta muaj, drejtësi dhe standarde të larta në zbatimin e saj.
Gjatë gjithë këtyre muajve kam kërkuar vetëm të drejta elementare, të drejta që Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ia garanton çdo qytetari pa përjashtim, por që mua, deri më sot, nuk më është bërë e mundur ti ushtroj. Kam kërkuar dinjitet dhe të kem akses të plotë, të pakufizuar dhe real, si dhe kohën e kushtet e nevojshme për të lexuar aktet, provat dhe çdo deklarim mbi të cilat është ndërtuar akuza që më ka sjellë para Jush dhe më ka vendosur në izolim.
Fakti që është dashur një kohë kaq e gjatë për të më vënë në dispozicion një dosje që është bërë jo vetëm shkak i heqjes së lirisë sime, por edhe i largimit faktik nga ushtrimi i funksioneve të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, po kthehet në një absurd tragjikomik. Dhe këtë e them me shumë keqardhje dhe me respekt të plotë për këtë gjykatë: vonesa dhe pengesat e vazhdueshme krijojnë panoramën e një paragjykimi të plotë të çështjes, si dhe të trajtimit të të drejtave të mia kushtetuese jo si detyrime solemne të shtetit, por si pengesa që duhen anashkaluar në funksion të një procesi, që duket sikur kërkohet të zhvillohet shpejt, të mbyllet shpejt dhe të dëgjohet sa më pak.
Fakti që mua personalisht, nuk më është vënë ende në dispozicion një kopje fizike e akteve, si dhe koha minimale për t’u njohur me një akuzë të ndërtuar mbi rreth 60 mijë faqe, flet qartë për fatin procedural që po i përgatitet këtij procesi. Një volum i tillë dokumentesh, që do të kishte sfiduar edhe gjykimet më të rënda të historisë moderne nga Nurembergu deri tek Tribunali i Tokios, po përdoret këtu jo për të zbardhur të vërtetën, por për të bërë praktikisht të pamundur ushtrimin e së drejtës sime kushtetuese për t’u mbrojtur. Në këto kushte, është e qartë se procesi rrezikon të humbasë karakterin e tij gjyqësor dhe të kthehet në një procedurë formale ku volumi i akteve zëvendëson dijeninë, ndërsa mungesa e aksesit zëvendëson mbrojtjen.
Ndaj, znj. Gjyqtare, jam para jush sot për të paraqitur dy kërkesa themelore, kërkesa të cilat nuk burojnë nga statusi im publik, por nga atributi im më i thjeshtë dhe më i rëndësishëm: ai i qytetarit të Republikës së Shqipërisë. Nëse këto kërkesa nuk pranohen, atëherë faktikisht po më përjashtoni nga ky proces gjyqësor, një proces i cili as nuk është nisur nga unë dhe as nuk ka ardhur me iniciativën time. Unë jam thirrur nga kjo gjykatë të marr pjesë në një procedim penal.
Por, nëse nuk më bëhen të ditura të gjitha aspektet e tij, nëse nuk më garantohet e drejta për t’u mbrojtur dhe nëse nuk trajtohem me dinjitetin që i takon çdo qytetari të këtij vendi, çdo qytetari që beson në standardet evropiane të procesit të drejtë, atëherë më keni treguar “derën” në mënyrë më cinike të mundshme. Në atë moment, gjykata e ka konsideruar prezencën time dhe pjesëmarrjen time jo të panevojshme, por të pakuptimtë, sepse nuk mund të ketë pjesëmarrje reale aty ku mungon mbrojtja reale.
Kërkesa për respektimin e dinjitetit, prezumimit të pafajësisë dhe të drejtës për mbrojtje efektive
Znj. Gjyqtare, qëndrimi im prej nëntë muajsh në këtë kafaz metalik, në prani të këtij trupi gjykues, përbën një shkelje të qartë dhe të vazhdueshme të:
* dinjitetit tim njerëzor,
* prezumimit të pafajësisë,
* të drejtës sime për mbrojtje efektive,
* dhe të vetë perceptimit të paanshmërisë së gjykatës.
Ky pozicionim fizik, i pazakontë për një vend që aspiron standarde evropiane, transmeton automatikisht një imazh kriminalizues, krijon idenë se jam një person “i rrezikshëm”, dhe ushqen, qoftë edhe pavetëdijshëm, paragjykime të brendshme brenda vetë trupës gjykuese. Dua të jem shumë i qartë: Këto nuk janë ankesa personale. Këto janë standarde të sanksionuara ndërkombëtarisht, të cilat çdo gjykatë e një shteti anëtar të Këshillit të Evropës është e detyruar t’i respektojë.
Dua të sjell në vëmendje një fakt të pakontestueshëm: para pak ditësh unë kam qenë i pranishëm në Gjykatën Kushtetuese, gjykatën më të lartë të vendit dhe aty kam qenë i ulur, jo i mbyllur në kafaz. Nuk pati asnjë shqetësim, asnjë incident, asnjë arsye sigurie. Nëse gjykata më e lartë e Republikës së Shqipërisë ka vlerësuar se unë mund të paraqitem i lirë dhe me dinjitet para saj, është e pakuptimtë që në një gjykatë më të ulët të paraqitem si kërcënim për rendin publik.
Ky standard i dyfishtë nuk qëndron dhe nuk mund të justifikohet.
Praktika e GJEDNJ: Kafazi = shkelje e neneve 3 dhe 6 të KEDNJ
Znj. Gjyqtare, standardet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut janë të qarta dhe të padiskutueshme: vendosja e të pandehurit në një kafaz është trajtim degradues, poshtërues dhe në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 3 dhe nenin 6 të KEDNJ. Në çështjen Svinarenko dhe Slyadnev kundër Rusisë, GJEDNJ konstatoi se mbajtja e të pandehurit në një kafaz metalik përbën trajtim degradues dhe dëmton rëndë prezumimin e pafajësisë. Në çështjen Ashot Harutyunyan kundër Armenisë, Gjykata theksoi se një “kafaz hekuri” krijon menjëherë perceptimin se i akuzuari është një “kriminel i rrezikshëm”, sidomos në rastet, si ky i imi, ku nuk ekziston asnjë rrezik real për sigurinë publike.
Në çështjen Khodorkovskiy dhe Lebedev kundër Rusisë, GJEDNJ ishte edhe më e prerë:
mbajtja e të pandehurve në kafaz:
* dëmtoi komunikimin me mbrojtësit,
* kufizoi pjesëmarrjen reale dhe të ndërgjegjshme në proces,
* minoi të drejtën për një proces të drejtë.
Të gjitha këto standarde janë të detyrueshme edhe për këtë gjykatë dhe në asnjërën prej këtyre çështjeve nuk u gjet ndonjë rrezik konkret që ta justifikonte këtë masë. Ashtu si në rastin tim, nuk ka asnjë arsye ligjore, logjike apo faktike për të më mbajtur në këtë kafaz. Asnjë.
Kafazi dëmton mbrojtjen time dhe të drejtën për proces të rregullt
Znj. Gjyqtare, kjo strukturë metalike ku jam vendosur nuk është një detaj fizik i sallës, është një pengesë e drejtpërdrejtë dhe e vazhdueshme për të ushtruar të drejtat e mia themelore dhe një pabarazi proçeduriale ulëritëse. Ky kafaz më pengon:
* të komunikoj lirshëm dhe privatisht me mbrojtësit e mi,
* të ndjek procesin në mënyrë aktive,
* të kontribuoj realisht në mbrojtjen time,
* të kem pozitë të barabartë proçeduriale me palën akuzuese,
* dhe të ruaj dinjitetin që i detyrohet çdo qytetari në një sallë gjyqi.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, në çështjet Moisejevs kundër Lituanisë dhe A.B. kundër Rusisë, ka qenë e prerë: mbajtja e të pandehurit në kafaz cenon mënyrë të pakthyeshme të drejtën për mbrojtje efektive, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 6(3)(b) dhe (c) të KEDNJ. Ky është pikërisht rasti im. Ndaj, kërkesa ime nuk është as privilegj, as përjashtim:
kërkoj thjesht të trajtohem si një qytetar që gëzon prezumimin e pafajësisë dhe barazi proçeduriale, dhe jo si një person i rrezikshëm që duhet ekspozuar në një formë poshtëruese dhe paragjykuese.
E drejta ime për t’u njohur me aktet e dosjes e mohuar plotësisht deri sot
Znj. Gjyqtare, ashtu siç theksova më lart edhe me një kërkesë time zyrtare paraqitur kësaj gjykate, deri në këtë moment unë nuk jam njohur asnjëherë, as për një ditë, as për një faqe, me përmbajtjen e dosjes penale që numëron rreth 60.000 faqe. USB-ja që prokuroria i ka përcjellë avokatëve të mi nuk mund të më dorëzohet ligjërisht, sepse rregullorja e paraburgimit ndalon përdorimin e çdo pajisjeje elektronike. Ky nuk është një kufizim i rastësishëm: është një pamundësi objektive, e cila e bën formal çdo pretendim se “dosja më është vënë në dispozicion”. Si pasojë:
* nuk kam parë asnjë faqe të dosjes,
* nuk kam pasur asnjë mundësi reale të kuptoj akuzën ndaj meje,
* nuk kam pasur asnjë mjet për të përgatitur mbrojtjen,
* dhe kështu, e drejta ime për mbrojtje efektive është shkelur brutalisht dhe në mënyrë të vazhdueshme.
Ky nuk është një problem procedurial. Është një shkelje thelbësore e nenit 31 të Kushtetutës, nenit 6 të KEDNJ, dhe një cenim i drejtpërdrejtë i vetë kuptimit të procesit të rregullt ligjor.
Neni 31 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë më garanton:
* të vihem në dijeni menjëherë dhe hollësisht për akuzën që më bëhet, për të drejtat e mia,
* të kem kohën dhe lehtësitë e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen vetë;
* të mbrohem vetë ose me ndihmën e një mbrojtësi ligjor të zgjedhur prej tij
Neni 6 paragrafi 3 i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut më rikonfirmon të njëjtat garanci dhe,
Neni 34/a i Kodit të Procedurës Penale më garanton:
* të njihem me materialet e çështjes,
* të kem lehtësitë e nevojshme për mbrojtje,
* të komunikoj privatisht me mbrojtësin,
* të marr pjesë në mënyrë aktive në proces.
Asnjë nga këto nuk është respektuar.
Znj. Gjyqtare, pas rreth 300 ditësh në paraburgim, jam sot përpara jush për t’Ju marr vetëm tre minuta me vetëm me tre kërkesa elementare. Tre kërkesa që nuk kërkojnë as privilegj, as përjashtim, por vetëm respektimin minimal të të drejtave që Kushtetuta ua njeh të gjithë qytetarëve.
Kërkesat e mia konkrete sot
Heqjen e menjëhershme të masës së vendosjes në kafaz, në përputhje me standardet detyruese të KEDNJ dhe jurisprudencën e GJEDNJ, që e konsiderojnë këtë praktikë trajtim poshtërues, paragjykues dhe të papajtueshëm me nenet 3 dhe 6 të Konventës.
Vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime.
Shtyrjen e procedurës, derisa kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale.
Unë jam këtu i thirrur nga ana Juaj, për t’u mbrojtur, jo për t’u poshtëruar. Jam këtu si një i qytetar i një vendi demokratik dhe të lirë që kërkon të drejtën e tij, por gjithashtu edhe si Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i vetëdijshëm se ky proces prek jo vetëm lirinë time, por edhe parimet më themelore mbi të cilat ndërtohet drejtësia në këtë vend dhe për të cilat si një i votuar kam pjesën time të përgjegjësisë. Dua ta them qartë: drejtësia nuk ndërtohet mbi kafaze, nuk ndërtohet mbi perceptime kriminalizuese dhe nuk ndërtohet duke shkelur të drejtën themelore të mbrojtjes. Unë pres drejtësi me standarte evropiane ose refuzoj të bëhem pjesë e një procedure poshtëruese që nuk e meriton asnjë qytetar i këtij vendi.
E nderuara gjykatë, me besimin e plotë për përmbushjen e një procesi të rregullt ligjor kërkoj vendimmarrjen tuaj për këto kërkesa.
Lajmi në përditësim…
Sot vendoset nëse dosja e tij kalon për gjykim, Erion Veliaj paraqitet në sallën e GJKKO

Pas disa seancave të shtyra, sot Gjykata e Posaçme do të vendosë nëse dosja e kryebashkiakut të Tiranës, do të kalojë ose jo për gjykim. Mundësia tjetër është që të kthehet për plotësim hetimesh.
I pranishëm në sallën e gjyqit është vetë Erion Veliaj i cili në seancat e kaluara kishte zgjedhur të mos paraqitej, por të përfaqësohej nga avokatët e tij.
Kreu i bashkisë Tiranë mbahet në paraburgim që prej 10 shkurtit të këtij viti. Ndaj Veliajt rëndojnë akuzat për kryerjen e 5 veprave penale: korrupsion pasiv në 9 raste, shpërdorim detyre, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futja e sendeve të paligjshme në qeli. Javë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e Veliajt nga detyra e kryebashkiakut të Tiranës me arsyetimin se nuk ishin ndjekur hapat e nevojshëm si ai i paraqitjes së tij në sallën e këshillit bashkiak ku mund të shprehte pretendimet që kishte.
Tashmë Veliaj i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese edhe për masën e sigurisë duke kërkuar lirimin e tij nga burgu, gjë të cilën e ka kërkuar edhe kryeministri Edi Rama gjatë daljeve të tij pas vendimit që Kushtetuesja dha për bashkinë e Tiranës. Versus.al
