
Agjencia Amerikane e Hapësirës (NASA) ka publikuar një panoramë të re nga planeti Mars, të realizuar nga roveri Curiosity, i cili po eksploron sipërfaqen e Planetit të Kuq.
Fotografia ofron pamjen më të detajuar deri më tani të disa formacioneve shkëmbore në distancë, të njohura si “yardangs”, të cilat janë krijuar nga erozioni i shkaktuar prej erës.
Pamjet janë regjistruar më 11 gusht 2026, rreth orës 08:30 sipas kohës lokale në Mars, në ditën e 4 982-të të misionit të Curiosity. Panorama përbëhet nga gjashtë fotografi të realizuara me kamerën Mastcam, të cilat janë bashkuar për të krijuar një imazh të vetëm.
Një prej elementeve që bie në sy janë nuancat blu në pjesën e përparme të peizazhit, ndërsa rrezet e para të diellit ndriçojnë formacionet shkëmbore në horizont. NASA shpjegon se fotografia është përpunuar pa korrigjimin e zakonshëm të balancës së së bardhës, për të ruajtur pamjen e dritës së mëngjesit në Mars.
Shkencëtarët ende nuk kanë një përgjigje për formimin e tyre
Formacionet “yardangs” shtrihen në një gjatësi prej rreth 16 kilometrash në pjesën veriperëndimore të malit Sharp, i cili ngrihet rreth 5 kilometra mbi sipërfaqen e kraterit Gale.
Shkencëtarët po përpiqen të kuptojnë origjinën e kësaj shtrese shkëmbore, e cila dallohet nga pjesa tjetër e malit për ngjyrën dhe pjerrësinë e pazakontë të shtresave. Një nga hipotezat është se ajo mund të përbëhet nga hi i depozituar gjatë shpërthimeve të lashta vullkanike, por kjo teori ende nuk është konfirmuar.
Mali Sharp përbëhet nga shtresa të ndryshme shkëmbore dhe sedimentesh, të cilat ruajnë të dhëna për periudha të ndryshme të historisë së Marsit. Analizat e kryera më parë kanë ndihmuar shkencëtarët të zbulojnë se në këtë rajon kanë ekzistuar dikur liqene dhe rrjedha ujore, përpara se uji të avullonte dhe të linte pas minerale të kripura.
Roveri Curiosity ka nisur eksplorimin e Marsit në vitin 2012 dhe prej vitit 2014 po ngjitet në malin Sharp. NASA shpreson që gjatë vitit 2027 mjeti eksplorues të arrijë në bazën e formacioneve “yardangs”, ku do të mund të përdorë krahun robotik për të marrë të dhëna dhe për të analizuar më nga afër përbërjen e tyre.
Marsi ndodhet mesatarisht rreth 225 milionë kilometra larg Tokës, por distanca mes dy planetëve ndryshon në varësi të pozicionit të tyre në orbitë./Versus.al

