OPINION /

Mirë se vini në Republikën e Bodigardëve!

Mesa duket as policët nuk janë të sigurt nga rojet e kompanive private të sigurisë.

Shkruar nga Versus

Mirë se vini në Republikën e Bodigardëve!

Truprojat private u bënë një “trend” në Shqipëri gjatë viteve të fundit dhe kjo gjë shihej më së shumti në koncertet muzikore të këngëtarëve me famë. Mirëpo ngjarjet e ndodhura së fundmi, kanë nxjerrë në pah një tjetër anë të këtyre kompanive të sigurimit privat që kanë mbirë si “kërpudha” në Shqipëri.

Përveçse mungesës së kuadrit ligjor që rregullon veprimtarinë e tyre, kompanitë kanë rekrutuar persona të ndryshëm pa u bazuar aspak tek kualifikimet e tyre. Në raste të tilla kur persona të pakualifikuar punojnë si roje sigurie private, konfliktet shpesh janë të pashmangshme.

Aq më tepër kur kompani të tilla kontraktohen për ruajtjen e sigurisë në projekte të cilat cënojnë interesin publik të qytetarëve shqiptarë. Rasti i parë ishte ai i Rrjollit ku kompania “Gener 2” e biznesmenit Bashkim Ulaj dërgoi rojet private të “Breçani Security” për të ruajtur perimetrin e sigurisë, por mes tyre dhe banorëve protestues pati përleshje të ashpra, ndërsa policia ndëshkoi këta të fundit.

Sërish në Zvërnec, dy kompani private sigurie të përfshira në ruajtjen e një trualli për të cilin po zhvillohej një protestë më 30 maj. Truprojat e “Myrto dhe Major Security” u përleshën me banorët, gjuajtën me gurë, i ofenduan dhe madje edhe morën zvarrë njërin prej tyre duke shkaktuar më pas revolta masive në vend që zgjasin prej 2 muajsh e gjysmë. Ashtu si në rastin e Rrjollit, policët ishin thjesht “spektatorë” të pafuqishëm përballë rojeve private.

Një tjetër rast i “fuqisë” së palimit të truprojave u shfaq në korrik kur Saimir Koka i ‘Vip Security” duke vepruar si truprojë e deputetit dhe ish-ministrit Ulsi Manja dhunoi brutalisht disa prej protestuesve që ndodheshin duke pirë kafe në të njëjtin lokal me të. Situata ishte e njëjtë, truprojat që shtynin këdo që kishin përpara, përfshirë edhe efektivët e policisë dhe në fund ia hedhin pa u lagur.

Mirëpo shtyrjet ndaj efektivëve të policisë ishin vetëm "sinjal" për atë çfarë do të ndodhte. Dy ditë më parë, të fortët e kompanisë ‘Elite Security’ dy ditë më parë dhunuan shefin e krimeve në Sarandë, Mateo Bakallin vetëm se ky i fundit kishte dashur të shuante sherrin e nisur mes tyre dhe disa klientëve. Situata precipitoi deri në nxjerrjen e armëve të zjarrit nga policia për të vendosur rregullin. 

Sërish kjo kompani "Elite Security" u përmend edhe në vrasjen e një turisti portugez mëngjesin e sotëm nga Sokrat Vata që punonte si truprojë në lokalin "Principotes". Shoku i tij, polici Moisid Matushaj që punonte për “Elite Security” u përfshi duke e ndihmuar të largohej nga vendngjarja. Mesa duket është e nevojshme që këtyre kompanive private dikush t'jua theksojë se siguria publike është mbi atë private të çdo lloj individi apo kompanie dhe se nuk duhet që ta konsiderojnë veten mbi policinë. Versus.al

Poll