
*(Titull redaksional)
Nga Gjergj Erebara
Kur të bie zjarri, normalisht që të gjitha përpjekjet duhet të bëhen për ta fikur atë!
Por përpjekjet për ta fikur vëshirë se do të kenë sukses nëse nuk arrin të kuptosh shkaqet që e sollën zjarrin.
Zjarri natyrisht që nuk ka logjikë, djeg pa diskriminin, nuk rivendos drejtësinë dhe as e zhbën padrejtësinë. Zjarri shkakton padrejtësi të reja, pa i anuluar padrejtësitë që e shkaktuan atë. Por ka shumë rëndësi që, në mënyrë që ta shuash me sukses, dhe në mënyrë që të shmangësh rrezikun që të ndizet sërish, duhet të analizosh origjinën dhe shkaqet e zjarrvënies.
Le ta fillojmë me atë që është zjarrvënia e dytë më e dukshme, zjarrvënia te zyra e mikrokreditit Iute te Rruga e Durrësit në ditën e parë të demonstratave rinore dhe në sulmet që pasuan në bankomate e zyra bankash. Është e arsyeshme të vëresh se baruti që ndezi zjarrin nuk ka nisur mbrëmjen e 13 tetorit. Baruti ka filluar të akumulohet rreth dy dekada e gjysmë më parë, kur zjarrvënësit e sotëm as nuk kishin lindur. Ishte fillimi i viteve 2000, vendi sa po kishte filluar ta merrte veten nga skemat piramidale mashtruese të vitit 1997, kur bankat u hapën për biznes në një vend të virgjër nga pikëpamja e rregullimeve tradicionale të tregut të shërbimeve financiare.
Ndërsa në të gjithë historinë e njerëzimit nuk kanë munguar rregullat ligjore, morale apo fetare mbi kredidhënien, (P.sh., Bruti, ai që vrau Cezarin, kishte një biznes fajdesh me interesa në nivel të paligjshëm,) Shqipëria nuk pati kurrfarë kufizimi. Në Anglinë e shekujve të shkuar, interesi maksimal ligjor luhatej në 3.5 apo 4.5%, na informon Adam Smith, por bankat në Shqipëri na dhanë kredi me normë interesi 25%. Më vonë bankingu islamik lidhi normën e interesit me normën e fitimit duke krijuar, së paku parimisht, financë me parime etike e morale njerëzore.
Arsyeja për vendosjen e një tavani për interesin e kredisë, njohur në legjislacione të ndryshme si "norma e fajdexhiut", ka qëllime jo ngushtësisht morale. Ajo ka para së gjithash qëllime praktike. Sepse, ekonomia rritet detyrimisht ngadalë, 3, 4 apo 5% në vit dhe interesi i parasë duhet të ndjekë këtë normë. Por nëse nuk e ndjek këtë normë, detyrimisht krijon kredimarrës të falimentuar dhe destabilitet ekonomik e shoqëror. Ndërsa individët dhe kompanitë mund të jenë të palogjikshëm në vendimmarrjen e tyre dhe të hyjnë në kredi me norma interesi praktikisht të papërballueshme, (siç edhe kredidhënësit mund të tregohen të palogjikshëm në dhënien e kredive të tilla,) shoqëria njerëzore zotëron mjaftueshëm kapital njohurish sa të mbrojë veten si e tërë nga papërgjegjshmëria individuale.
E pra, jo vetëm që kreditë me norma interesi 25% nuk urregulluan e nuk u kufizuan, por, një dekadë më parë, na u shfaqën këto kompanitë e mikrokreditit, të cilat na ofruan kredi me interes 100 apo 150%.
Si parim biznesi, më shpjegoi një mik në atë kohë, kjo lloj kredidhënieje funksiononte në këtë mënyrë: kompania jep, fjala vjen, 1 milionë euro në mikrokredi. Një e treta, ose 300 mijë euro humbasin sepse kredimarrësit nuk i kthejnë. Të 700 mijët e mbetura me normë interesi 100% bëjnë 1.4 milionë. Kompania realizon 40% normë fitimi bruto dhe e mbështet suksesin te standardi ekzistues moral i shoqërisë. Standardi moral është situata në të cilën një numër i caktuar qytetarësh respektojnë vullnetarisht detyrimet e tyre financiare, pra paguajnë, edhe në kushtet e padrejtësisë, pa pasur nevojë të ketë masa shtrënguese.
Kredi të tilla, jo me interesa kaq të larta, por me interesa gjithsesi të paimagjinueshme në kushte normale, u dhanë jo vetëm nga kompanitë e mikrokreditit, por edhe nga bankat. P.sh., unë hasa një bankë që normalisht njihet si serioze duke ofruar kredi me interes 51% për blerje elektroshtëpiakesh.
Ndërsa Banka e Shqipërisë, Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare, Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria, dështuan të rregullojnë normën e fajdexhiut, Kuvendi i Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë, për shkak të disa interesave shumë të shëmtuara klienteliste, vendosi në vitin 2018 të rregullonte, apo më saktë, të mbirregullonte, sektorin e përmbaruesve gjyqësorë privatë. Përmbaruesve iu dhanë fuqi të jashtëzakonshme ligjore, fuqi për të bllokuar llogari bankare, pronësi aksionesh apo prona të patundshme dhe e drejta për të faturuar këto shërbime me tarifa anomalisht të larta të caktuara me ligj. Tarifat janë të pagueshme dhe bëhen tituj borxhesh të ekzekutueshme pavarësisht suksesit apo dështimit për të arkëtuar detyrimin fillestar. Kjo mundësoi që kredia e keqe, në vend që të ishte kosto biznesi, të bëhej burim fitimesh zhvatëse. Një kredi 100 euroshe, nëse kthehej, prodhonte 100 euro interesa, por nëse nuk kthehej, prodhonte 300,400 apo 600 euro interesa e komisione përmbaruesish. Në vend që të kishte interes të jepte kredi të mira, kompania zbuloi se kishte ku e ku më shumë interes të jepte kredi të këqija. Edhe faturat e papaguara me vlerë 20 apo 30 euro të kompanive celulare ushqyen një ushtri përmbaruesish me tarifa që shpesh ishin edhe më të larta se sa një rrogë mujore.
Dështimi për të rregulluar normën e fajdexhiut dhe mbirregullimi për interesa klienteliste të ekzekutuesve të borxheve të këqija ishte lënda djegëse që përcëlloi për vite me radhë mijëra e dhjetëramijëra familje, shkaktoi tragjedi të panumërta dhe po djeg këto ditë infrastrukturën financiare në Tiranë.
Nëse ti i jep një individi një kredi me normë interesi falimentuese, pavarësisht se nuk ia ke dhënë me detyrim dhe ligjërisht nuk ke bërë asnjë shkelje, praktikisht ia ke vënë flakën shtëpisë së tij. Dhe flaka në shtëpinë e tij mund të djegë aksidentalisht edhe shtëpinë tënde.
Në mënyrë që të mos çuditemi nga zjarrvënie të tilla, sot dhe në të ardhmen, duhet të bëjmë këto dy gjëra, të vendosim ligje për të frenuar papërgjegjshmërinë individuale të qytetarëve nga njëra anë dhe papërgjegjshmërinë sistemike të institucioneve financiare nga ana tjetër. Dhe duhet të rirregullojmë tregtinë e borxheve të këqija dhe ekzekutimin e tyre.
Biznesi i përbindshëm i mikrokredisë dhe bankat ishin shënjestra e dytë e protestuesve, menjëherë pas zjarrvënies ndaj institucioneve publike.
Me një fjalë, binomi mikrokredi-përmbarues është një skemë e madhe piramidale që e mbështet suksesin te mashtrimi dhe korrupsioni dhe, përveç përmasave, (kjo e sotmja është goxha më e vogël e ka prekur shumë më pak falmije), kjo është një skemë mashtruese njësoj si kompanitë rentiere të vitit 1997. Dështimi i institucioneve atëhere është njësoj me dështimin e tyre sot. Paralajmërimet për qytetarët erdhën tepër vonë e ishin tepër të vakëta për të pasur sukses. Zyrtarë që duhej t'i ndalonin mashtrimet duket se ishin në anën e përfituesve prej mashtrimeve.
Ndërsa përsërisim faktin që dhuna nuk duhet e nuk mund të justifikohet, si dhe faktin se dhuna është e palogjikshme dhe nuk përbën as sot dhe as kurrë zgjidhje për asnjë problem, në mënyrë që ta shuajmë zjarrin siç duhet, dhe në mënyrë që të parandalojmë zjarre të tilla në të ardhmen, bëjmë mirë të dallojmë se shkrepësen po e ndezin të rinjtë, por lënda djegëse është korrupsioni, korrupsioni sistemik dhe zhvatja kriminale e qytetarëve nga zyrtarët e qeverisë.

