
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një video në rrjetet sociale ku iu referohet atyre që i quan ‘’shënimet e javës’’. Ai dha lajmin se Bashkimi Europian do të alokojë një fond prej 49 milionë eurosh për Shqipërinë, duke e çuar në 212 milionë euro mbështetjen për Planin e Rritjes.
Sipas tij kjo është shifra më e lartë e përfituar nga vendet e rajonit. Rama shkoi më tej duke ironizuar protestat e PD me molotov teksa u shpreh se vendi ndërtohet me punë dhe reformë pas reforme.
“Tjetër mbështetje financiare e Bashkimit Europian ka ardhur nga Brukseli, ndërsa është vendosur çelja e fazës përmbyllëse të negociatave, është njëkohësisht vijuar edhe me çeljen e një tjetër fondi për Shqipërinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. 49 milionë euro, të cilat e çojnë mbështetjen deri këtu në 212 milionë euro, ose shifra më e lartë e përftuar nga vendet e rajonit prej Planit të Rritjes.
Plani i Rritjes është një plan financimi mbi bazë rezultatesh dhe janë rezultate të certifikuara nga Komisioni Europian, të padiskutueshme në objektivitetin e tyre, sepse, ndryshe nga sa e përflasin ditë e natë ata që në fund gjithmonë humbasin, Shqipëria jonë, Shqipëria europiane që po ndërtojmë, është një histori suksesi, një histori që nuk shkruhet me britma, nuk bëhet me shpifje apo me molotovë, por me vizion, me punë, me durim të madh dhe me përkushtim hap pas hapi, reformë pas reforme.
E pra, urime të gjithëve dhe, mbi të gjitha, faleminderit! Faleminderit çdo shqiptari dhe shqiptareje që beson, që mbështet dhe që ecën me ne në këtë mision historik”, u shpreh Rama. Versus.al

