Dorëheqja e pashpjeguar publikisht e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska ka bërë që Kuvendi të hapë garën për plotësimin e këtij posti të lënë bosh.
Me një njoftim të publikuar në faqen zyrtare të Parlamentit thuhet se “hapet procedura e aplikimit për vendin vakant, mandat plotësues, për 1 (një) anëtar të Gjykatës Kushtetuese, me qëllim plotësimin e vakancës të krijuar për shkak të deklarimit të mbarimit përpara afatit të mandatit të gjyqtares Znj. Elsa Toska, i cili përfundon më datën 14.11.2028.
Elsa Toska u zgjodh anëtare e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2019, për një mandat të plotë 9-vjeçar. Por, dy javë më parë ajo njoftoi zyrtarisht doreheqjen nga pozicioni, për “arsye familjare”.
Pas dorëheqjes, trupa e Gjykatës Kushtetuese shpalli vakancën dhe njoftoi organin e emërtesës së zonjës Toska për të vijuar me procedurat për zëvendësimin e saj.
Tashmë, Parlamenti ka shpallur zyrtarisht thirrjen për aplikime për zëvendësimin e ish-gjyqtares Toska. Sipas njoftimit të Parlamentit, aplikimet duhet të dorezohen deri në datën 28 Tetor 2024.