Ilir Alimehmeti një prej të pranishmëve në takimin e zhvilluar në një kafe të Tiranës ku morën pjesë më të votuarit e PD ka folur së fundmi mbi veprimet që duhen ndërmarrë me qëllim që PD të kthehet në alternativë qeverisëse.
Ndërsa komentoi në News24 takimin që kishte organizuar së bashku me Salianjin, tha se një kafe që zgjati 3 orë nuk mund të zgjidhë problemet e 35 viteve. Më tej shtoi se zgjedhjet e brendshme duhet të jenë reale dhe jo të bëhen me lista fiktive anëtarësh duke lënë të kuptohet kritika ndaj Berishës për proceset e mëparshme.
“Në 3 orë takim nuk zgjidhen problemet e 35 viteve, jam kundër djegies së etapave. Nuk funksionon, ka rregulla. U përmend një fjalë që për mua është e rrezikshme, përçarja. Kam hyrë në PD në prill të 2022 kur PD ishte më e përçarë se kurrë, më e shantazhuar se kurrë. Kam hyrë në ditën më të keqe të PD, nuk duhet të kthehet më. Në asnjë lloj forme. E megjithatë, ai grupazh pas disa shinave për një hapje, meritokraci, rithemelim dhe prodhoi një protestë të 7 korrikut 2022. Këto 3 premtime duke mos u mbajtur pjesërisht apo plotësisht ka bërë që një pjesë e madhe e ndjekësish që vazhdojnë besojnë te PD, te rrotacioni politik, kjo ndodh nëse rikthehemi tek këto 3 parime, tek Rithemelimi, hapja dhe meritokracia.
Ne kemi vështirësi të shkojmë te strukturat ta diskutojmë. Partia nuk funksionion me individualitete por me forume. Është e rëndësishme transparenca dhe demokracia e brendshme. Brenda muajit të gjitha forumet, nga i ulëti deri tek i larti do shkojnë në zgjedhje. Për këtë, duhet demokracia e transparenca, duhen të dalin njerëzit. Nuk është se po thua dil ti, dhe e vendos ti, duhet të kenë kurajo e ambicie. Duhet të kenë vizionin, por zgjedhjet e brendshme nuk duhet të bëhen me lista fiktive. Procesi duhet të garantohet nga drejtuesit e lartë të partisë, nëse kjo ndodh, PD kthehet shumë shpejt në alternativë qeverisëse”, tha Ilir Alimehmeti. Versus.al

