
Kryeministri Edi Rama, në “shënimet e javës”, është ndalur tek Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian që zhvillohet më 26 maj në Bruksel, duke e cilësuar atë si një tjetër hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian të vendit.
Në të njëjtën kohë, Rama ka komentuar edhe protestat e opozitës, duke përdorur një gjuhë të fortë ndaj tyre. Sipas tij, “molotovarët” e Tiranës u përpoqën të krijojnë një imazh negativ për Shqipërinë jashtë vendit.
“Ai ballafaqim mori kohën e vet, në ndërkohë që ‘molotovarët’ e Tiranës u lëshuan të dëshpëruar në një ofensivë të pashoqe energjie negative, u lëshuan rrugëve për ta djegur medoemos Shqipërinë në sytë e botës,” tha Rama, duke shtuar se përmes imazheve të protestave “gëzonin si fëmijët kur fotot e kazanëve me flakë apo të molotovëve bënin xhiro në median e botës”.
Ai akuzoi opozitën se ka tentuar të dëmtojë imazhin e vendit në arenën ndërkombëtare:
“Mblidh benzinë e hidh bombë artizanale me vandalë të paguar, u lëshuan po ashtu kanaleve e portaleve të Shqipërisë për t’i helmuar shqiptarët. Mblidh e hidh jargë urrejtjeje politike… u lëshuan nëpër Europë me thasë balte e llumi proverbial,” u shpreh ai.
Sipas Ramës, opozita ka tentuar të paraqesë Shqipërinë si të bllokuar në rrugën drejt BE-së, por realiteti, sipas tij, është ndryshe.
“Thanë se rruga europiane ishte e bllokuar… Thanë se qeveria jonë ishte krejt e izoluar. U gënjyen, u gënjyen… dhe në fund humbën me turp dhe Shqipëria fitoi përsëri me mund, me dinjitet dhe me krenari,” deklaroi kryeministri.
Duke iu referuar 26 majit në Bruksel, Rama theksoi se konferenca ndërqeveritare do të shënojë një moment të rëndësishëm në procesin e negociatave.
“Kështu, më 26 maj, në Bruksel, Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri–Bashkimi Europian vulos përmbylljen me sukses të fazës hyrëse dhe hap fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian,” tha ai.
Në përfundim, Rama u shpreh optimist për rrugën e integrimit, duke shtuar:
“Kemi ngjitur një tjetër lartësi të vështirë drejt majës, ku do të arrijmë me çdo kusht brenda kësaj dekade dhe ku do të vendosim flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit aty, në oborrin e shtëpisë së madhe të Europës së Bashkuar.”

