Kryeministri Edi Rama ka shprehur solidaritetin e Shqipërisë me Gjermaninë pas incidentit të ndodhur në aeroportin e Leipzig/Halle, ku një dron i pajisur me lëndë shpërthyese dyshohet se është përdorur në një operacion që autoritetet gjermane e lidhin me kërcënimet hibride ruse.
Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi ngjarjen si “një akt agresioni rus kundër Gjermanisë dhe kundër sigurisë së Evropës”, duke shprehur mbështetjen e tij për kancelarin gjerman Friedrich Merz.
“Një dron që transportonte eksplozivë në Aeroportin e Leipzig/Halle nuk është një zonë gri. Është një akt agresioni rus kundër Gjermanisë dhe kundër sigurisë së Evropës, siç e bën të qartë vetë Qeveria Gjermane tani. Solidaritet i plotë me mikun tim Friedrich Merz, Qeverinë Gjermane dhe popullin gjerman. Kancelari ka të drejtë të përgjigjet me qartësi dhe forcë. Lufta hibride nuk mund të shpërblehet me hezitim. Shqipëria qëndron fort me Gjermaninë, Ukrainën dhe të gjithë aleatët tanë në NATO. Ne jemi më të fortë kur veprojmë si një i vetëm”, shkruan Rama.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, i cili deklaroi se Aleanca qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë pas incidentit të 14 gushtit në Leipzig.
Rutte bëri të ditur se kishte zhvilluar një bisedë me kancelarin Friedrich Merz, ku diskutuan zhvillimet e fundit dhe reagimin e autoriteteve gjermane.
“NATO qëndron në solidaritet të plotë me Gjermaninë pas sulmit hibrid rus në Leipzig më 14 gusht. Provat janë të qarta”, deklaroi Rutte, duke përshëndetur masat e ndërmarra nga Berlini.
Ai theksoi se NATO do të vijojë të forcojë kapacitetet e saj për të parandaluar kërcënimet dhe për të mbrojtur vendet anëtare nga veprimet armiqësore.
Ndërkohë, autoritetet gjermane kanë dhënë detaje të reja mbi incidentin në aeroportin e Leipzigut.
Sipas raportimeve mediatike, tentativa për të goditur një avion ukrainas të transportit, të tipit Antonov, mund të ketë qenë më serioze nga sa ishte bërë e ditur fillimisht.
Një prej dronëve dyshohet se kishte lëndë shpërthyese, ndërsa hetimet kanë ngritur dyshime se në operacion mund të kenë marrë pjesë disa mjete ajrore pa pilot.
Shqetësimet janë shtuar edhe pas raportimeve të Welt am Sonntag për zbulimin e armëve të fshehura në afërsi të Berlinit.
Sipas vlerësimit të shërbimit gjerman të inteligjencës së brendshme, BfV, armët mund të kenë qenë të destinuara për persona të lidhur me spiunazhin rus dhe për operacione të mundshme të dhunshme.
Deri tani, Ambasada ruse në Berlin nuk ka dhënë një reagim zyrtar ndaj këtyre akuzave. Moska ka mohuar në raste të mëparshme përfshirjen në operacione sabotimi, spiunazhi apo atentatesh në vendet perëndimore, duke i cilësuar akuzat si pjesë të një fushate antiruse./Versus.al

