EKONOMI & MJEDIS /

Shtrenjtimi i karburanteve dhe ushqimeve, BSH paralajmëron rritje të inflacionit

Sipas BSH, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare po ushtrojnë presion mbi çmimet e karburanteve dhe të disa produkteve ushqimore të papërpunuara, duke ndikuar edhe në tregun vendas.

Shkruar nga Versus

Shtrenjtimi i karburanteve dhe ushqimeve, BSH paralajmëron rritje të

Rritja e çmimeve të karburanteve dhe produkteve ushqimore po shton presionet inflacioniste në ekonominë shqiptare. Banka e Shqipërisë paralajmëron se inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektivin e saj prej 3% gjatë tremujorëve të ardhshëm, për t'u rikthyer pranë këtij niveli në horizontin afatmesëm.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të mos ndryshojë normën bazë të interesit, duke e mbajtur atë në nivelin 2.5%.

Gjatë prezantimit të vendimmarrjes, guvernatori Gent Sejko bëri të ditur se inflacioni ka shënuar rritje në tremujorin e tretë të vitit, duke arritur në 3.2%, nga 3% që ishte në tremujorin e dytë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zhvillimet në tregjet ndërkombëtare po ushtrojnë presion mbi çmimet e karburanteve dhe të disa produkteve ushqimore të papërpunuara, duke ndikuar edhe në tregun vendas.

“Projeksionet ekonomike të skenarit bazë mbeten pozitive: ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme solide dhe pranë potencialit gjatë afatit të mesëm, ndërkohë që inflacioni parashikohet të rritet lehtësisht mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim dhe të kthehet pranë tij në horizontin afatmesëm. Megjithatë, pasiguritë rreth këtyre parashikimeve paraqiten të shtuara”, u shpreh Sejko.

Parashikimet e Bankës Qendrore tregojnë se presionet mbi çmimet do të vijojnë edhe në afatin e shkurtër, ndërsa rikthimi i inflacionit pranë objektivit prej 3% pritet të ndodhë gjatë vitit 2028.

Sa i përket aktivitetit ekonomik, Banka e Shqipërisë vlerëson se ekonomia shqiptare u rrit me 3.6% në gjashtëmujorin e parë të vitit, duke ruajtur ritme të ngjashme me ato të vitit të kaluar.

Rritja ekonomike është mbështetur kryesisht nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe eksporteve totale. Sipas Bankës, kontribut të rëndësishëm kanë dhënë kërkesa e lartë për shërbime turistike, si dhe rritja e prodhimit dhe eksporteve të energjisë elektrike.

Banka e Shqipërisë vlerëson se perspektiva ekonomike mbetet pozitive, por paralajmëron se pasiguritë në tregjet ndërkombëtare dhe shtrenjtimi i produkteve bazë mund të ndikojnë në ecurinë e inflacionit gjatë periudhës së ardhshme./Versus.al

Poll