
Gjykata e Gjirokastrës ka dënuar me 30 vite burg, 69-vjeçarin Thoma Mastora, i shpallur fajtor për vrasjen e dyfishtë të bashkëshortëve Kosta dhe Kleoniqi Ilia në fshatin Bodrishtë të Dropullit.
Vendimi është dhënë këtë të mërkurë, më 4 nëntor 2026, pas përfundimit të procesit gjyqësor për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 2 maj 2024.
Çifti i të moshuarve, Kosta Ilia, 84 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Kleoniqi Ilia, 88 vjeçe, u gjetën të pajetë në banesën e tyre, me shenja dhune në trup.
Pas hetimeve për ngjarjen, si autor i dyshuar u arrestua Thoma Mastora, ndaj të cilit nisi procesi gjyqësor.
Gjykata e shpalli fajtor për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe caktoi dënimin me 30 vite burg.
Koha e kaluar në paraburgim do t'i zbritet nga dënimi, ndërsa pjesën e mbetur të tij Mastora do ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë.

