AKTUALITET /

29 vatra zjarri në 24 orë, 11 vijojnë aktive në disa zona të vendit. Ministria e Mbrojtjes: Në terren ndodhen 674 persona për shuarjen e flakëve

Për përballimin e situatës janë angazhuar 249 efektivë të MZSH-së, 48 forca policore, 233 forca bashkiake, të AdZM-së, Shërbimit Pyjor dhe ASHP-së, 206 vullnetarë si dhe 118 efektivë të Forcave të Armatosura.

Shkruar nga Versus

29 vatra zjarri në 24 orë, 11 vijojnë aktive në disa zona

Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar sot se 29 vatra zjarri janë raportuar në të gjithë vendin gjatë 24 orëve të fundit, ndërsa 11 prej tyre vijojnë të jenë aktive.

Sipas buletinit të 24 orëve të fundit, 3 vatra janë aktualisht në monitorim, ndërsa 4 të tjera janë nën kontroll. Forcat e emergjencave vijojnë operacionet në terren për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.

Në përballimin e situatës janë angazhuar 249 efektivë të MZSH-së, 48 punonjës të Policisë, 233 forca bashkiake, të AdZM-së, Shërbimit Pyjor dhe ASHP-së, si dhe 206 vullnetarë.

Në operacione janë përfshirë 43 automjete zjarrfikëse. Ndërkohë, Forcat e Armatosura kanë vënë në dispozicion 118 efektivë, 9 automjete zjarrfikëse, 4 autobote, 3 ambulanca, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Strukturat e emergjencave vijojnë punën në zonat ku ka vatra aktive, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë për të shmangur përhapjen e zjarreve.

Vatrat kryesore aktive

Në Dajt të Tiranës, vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë-Mollës, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Situata është e ngjashme edhe në Priskë të Madhe, ku banesat nuk janë në rrezik.

Në Përmet, mbeten aktive vatrat në malin e Nëmërçkës dhe malin e Dhëmbelit. Terreni i vështirë po e vështirëson ndërhyrjen, ndërsa zjarrfikësit, punonjësit e sektorit pyjor dhe vullnetarët vijojnë punën për izolimin e flakëve. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Një nga operacionet më të rëndësishme po zhvillohet në Gurë-Lurë, Dibër, ku janë angazhuar 120 forca të bashkisë, 57 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca policore, 15 vullnetarë dhe 9 punonjës të AdZM-së. Ndërhyrja ka bërë të mundur vendosjen nën kontroll të perimetrit pranë banesave dhe shmangien e rrezikut për to. Nga ajri kanë ndërhyrë dy avionë Air Tractor, ndërsa operacioni vijon në dy drejtime ku zjarri ruan intensitet.

Në Qafën e Helmes, Bulqizë-Dibër, zjarri vijon aktiv në terren pyjor, ndërsa në operacion janë angazhuar efektivë të MZSH-së dhe forca bashkiake.

Në Trojë të Mirditës, për izolimin e zjarrit po punojnë forcat zjarrfikëse, bashkiake, policia, vullnetarët dhe efektivët e Forcave të Armatosura, të mbështetur nga automjete zjarrfikëse.

Në Shkodër, mbeten aktive vatrat në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Forcat e MZSH-së dhe Shërbimit Pyjor po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre. Në Goraj-Budishtë nuk raportohet rrezik për banesat dhe vatra po shkon drejt izolimit.

Në Elbasan, zjarret vijojnë aktive në Dardhë të Librazhdit dhe në Shalës të Cërrikut. Në Dardhë nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes thekson se operacionet po vijojnë në mënyrë të koordinuar nga toka dhe ajri, ndërsa në zonat më të ekspozuara është arritur të mbrohen banesat dhe të kufizohet përhapja e flakëve.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, përmes Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, po monitoron situatën në mënyrë të pandërprerë dhe po koordinon shpërndarjen e kapaciteteve sipas nevojës.

Poll