AKTUALITET /

74 ditë protestë, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë, kërkojnë dorëheqjen e qeverisë

Organizatorët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për statusin e investitorëve strategjikë, anulimin e “Paketës së Maleve”, si dhe ndryshimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Shkruar nga Versus

74 ditë protestë, qytetarët mblidhen para Kryeministrisë,

Në ditën e 74-të të protestës qytetare kundër qeverisë, protestuesit kanë vijuar me kërkesat e tyre për largimin e klasës së vjetër politike dhe ndryshimit të sistemit politik.

Protestuesit janë mbledhur fillimisht në Sheshin “Skënderbej”, prej nga kanë nisur marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku pritet të zhvillohet tubimi i radhës.

Gjatë marshimit janë dëgjuar slogane kundër qeverisë dhe korrupsionit, mes tyre: “Shqipëria kërkon revolucion”, “Poshtë korrupsioni”, “Drejtësi për qytetarët”, “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Nuk ka kthim pas”.

Protestuesit dhe organizatorët kanë deklaruar se tubimet do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Lëvizja qytetare, e cila prej më shumë se dy muajsh vijon me protesta në Sheshin “Skënderbej”, nisi fillimisht si reagim ndaj projektit të investimit prej 4 miliardë eurosh në zonën e Zvërnecit, por më pas u zgjerua me kërkesa të tjera politike dhe sociale.

Organizatorët kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për statusin e investitorëve strategjikë, anulimin e “Paketës së Maleve”, si dhe ndryshimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Sipas organizatorëve, këto nisma cenojnë interesin publik dhe pasuritë natyrore e kulturore të vendit.

Ndërkohë, pavarësisht se protestat zhvillohen në kulmin e sezonit turistik, organizatorët kanë paralajmëruar tubime masive në datat 14, 15 dhe 16 gusht, duke pritur pjesëmarrje të konsiderueshme edhe nga diaspora./Versus.al

Poll