
Policia e Durrësit ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me arrestimin e drejtoreshës së shkarkuar të filialit të Postës Shqiptare, Elisabeta Mataj dhe 2 vartëseve të saj, Valbona Doni si shefe e financës dhe Paola Dana si arkëtare.
Të treja në bashkëpunim me njëra tjetrën, dyshohet se gjatë muajve prill dhe maj kanë arritur të përvetësojnë shumën prej 69 milionë lekësh të reja e cila ishte planifikuar nga filiali i postës për t'u shpërndarë në Krujë e Shijak për pensionet dhe ndihmat sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Çështja është ende nën hetim pasi dyshohet se dëmi ekonomik i shkaktuar arrin deri në 3 milionë euro.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të operacioneve për goditjen e krimeve ekonomike dhe financiare, Sektori për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, finalizoi operacionin policor të koduar "Filiali".
Në kuadër të operacionit u ndaluan shtetaset:
E. M., 41 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë drejtoreshë e filialit të Postës Shqiptare Durrës;
V. D., 59 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë shefe e financës në filialin e Postës Shqiptare Durrës;
P. D., 39 vjeçe, banuese në Durrës, me detyrë arkëtare/llogaritare në filialin e Postës Shqiptare Durrës.
Ndalimi i tyre u bë në funksion të procedimit penal të regjistruar nga Prokuroria, për veprat "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Vjedhja duke shpërdoruar detyrën", të kryera në bashkëpunim.
Nga hetimet dyshohet se, gjatë muajve prill dhe maj 2026, këto shtetase kanë përvetësuar shumën 69 milionë lekë të rinj, e cila ishte planifikuar të arkëtohej nga filiali i Postës Shqiptare Durrës, për degët Shijak dhe Krujë, me qëllim shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale për qytetarët e këtyre zonave.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë ligjore, të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme. Versus.al

