7 turistë nga Gjermania e Polonia, të cilët kishin mbetur të bllokuar në kanionin e Langaricës, pas shirave të rrëmbyeshme, u ndihmuan nga policia e Përmetit
Turistët e huaj ishin bllokuar në vendin e quajtur “Shpella e Pëllumbave”. 7 turistët kanë qenë duke eksploruar me këmbë zonën, kur kanë mbetur të bllokuar në pjesën e kanionit, për shkak të rritjes së nivelit të ujit në lumin e Langaricës, nga reshjet e shiut. Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, punonjës të zjarrfikëseve dhe shërbimet e zonave të mbrojtura, u nisën në drejtim vendit ku kishin mbetur të bllokuar turistët dhe bënë të mundur shpëtimin e tyre”, njofton policia. Të gjithë turistët ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore.







