
Një ngjarje thellësisht e dhimbshme ka tronditur mëngjesin e kësaj të shtune futbollin shqiptar dhe jo vetëm. Vajza e mitur e futbollistit të Tiranës, Freddy Alvarez, është ndarë nga jeta në mënyrë të papritur, duke lënë pas dhimbje të madhe dhe trishtim të thellë.
Sipas detajeve të reja të mësuara, fëmija, rreth 5–6 vjeçe, ka pësuar një aksident tragjik brenda ambientit të banesës familjare. E mitura dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht nga krevati marinari, nga një lartësi mbi 1.5 metra, duke marrë plagë fatale si pasojë e goditjes së fortë.
Pavarësisht përpjekjeve për ta ndihmuar, ajo nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë dhe duke kthyer një mëngjes të zakonshëm në një dramë të pafjalë për familjen Alvarez.
Klubi i Futbollit Tirana, së bashku me klube të tjera të Superiores, kanë shprehur publikisht solidaritetin dhe ngushëllimet për futbollistin dhe familjen e tij në këtë moment jashtëzakonisht të vështirë. Në shenjë respekti dhe dhimbjeje, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur shtyrjen e ndeshjes Tirana–Flamurtari, e planifikuar për këtë të shtunë në orën 13:30, e cila do të zhvillohet të dielën në të njëjtën orë.


