
Dy vatra zjarri janë regjistruar gjatë ditës së sotme në territorin e Bashkisë Cërrik, duke angazhuar shërbimet zjarrfikëse.
Vatra e dytë u shfaq rreth orës 21:00 në fshatin Shalës, ku flakët morën përmasa të konsiderueshme dhe u afruan pranë banesave dhe një pike servisi.
Në vendngjarje u nisën menjëherë forcat zjarrfikëse, të cilat ndërhynë me dy grupe për izolimin e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së tyre.
Nga zjarri u dëmtuan disa pemë dekorative, ndërsa banesat pranë zonës nuk pësuan dëme. Ndërhyrja në kohë e zjarrfikësve bëri të mundur shmangien e një situate më të rëndë.
Ky ishte rasti i dytë i regjistruar në Cërrik brenda së njëjtës ditë. Një tjetër vatër ishte konstatuar në orët e mëngjesit, por u lokalizua dhe u vu shpejt nën kontroll, pa shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Dy zjarret brenda një dite kanë rikthyer shqetësimin për rrezikun e përhapjes së flakëve gjatë temperaturave të larta, veçanërisht në zonat pranë banesave dhe bizneseve.
Shkaqet e zjarreve ende nuk janë bërë të ditura dhe pritet të përcaktohen nga verifikimet përkatëse./Versus.al

