
Elisabeta Mataj është shkarkuar nga posti i saj si drejtoreshë e filalit të Postës Shqiptare në Durrës. Ndaj saj ka patur një kallëzim penal për dyshime se ka abuzuar me fondet e institucionit.
Sipas burimeve, dyshohet se ka patur një abuzim prej 3 milionë eurosh që prej emërimit të saj në detyrë në tetor të vitit të kaluar. Kur është bërë rakordimi i arkës në fund të muajit, fillimisht rezultuan rreth 1 miliard lekë më pak. Më pas, gjatë analizës më të thelluar, u evidentua se vlera e mungesave ishte edhe më e madhe.
Reagimi i Postës Shqiptare:
“Posta Shqiptare sh.a. informon opinionin publik se, në kuadër të mekanizmave të saj të kontrollit të brendshëm dhe procedurave të monitorimit financiar, Drejtoria e Përgjithshme, nëpërmjet Drejtorisë Ekonomike, bazuar në mospërputhje të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare, ka ushtruar një kontroll në Filialin Durrës.
Nga verifikimet e kryera janë evidentuar parregullsi dhe shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave. Theksojmë se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo me pagesat e pensionistëve.
Menjëherë pas konstatimit të këtyre parregullsive, Posta Shqiptare ka marrë masat e menjëhershme administrative ndaj punonjësve përgjegjës, si dhe ka referuar rastin pranë organit të Prokurorisë, duke depozituar kallëzim penal të shoqëruar me dokumentacionin përkatës.
Posta Shqiptare po bashkëpunon plotësisht me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion çdo informacion dhe dokumentacion të nevojshëm për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit. Vlerësimi i përgjegjësive individuale dhe ndërmarrja e hapave të mëtejshëm proceduralë i takojnë organeve kompetente të drejtësisë.
Ky rast dëshmon funksionimin efektiv të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të Postës Shqiptare, të cilët mundësuan evidentimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre nga vetë institucioni pranë organeve kompetente.
Posta Shqiptare mbetet e vendosur në zbatimin e një politike të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës apo abuzimit me fondet e institucionit. Integriteti, transparenca dhe mbrojtja e interesit publik mbeten prioritete të panegociueshme të institucionit.”
Elisabeta Mataj u emërua në krye të filialit të postës së Durrësit në tetor të vitit 2025, pasi drejtuesja e mëparshme Etleva Budini, fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet e 11 majit, ku garoi në listat e hapura. Versus.al

