
Avokatët mbrojtës të Erion Veliaj kanë dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë të kryebashkiakut të Tiranës për t’u liruar nga qelia e paraburgimit ku mbahet prej 10 shkurtit të këtij viti.
Burime bëjnë me dije se në kërkesën e dorëzuar më 25 nëntor, avokatët kërkojnë që vendimet e Gjykatës së Posaçme të shpallen antikushtetuese me arsyetimin se janë “jo proporcionale”. Ndër arsyetimet e dhëna thuhet se edhe raporti i Komisionit Evropian përmend rrethanat përse një kryebashkiak apo përfaqësues i pushtetit lokal nuk mund të prangoset.
Më herët kjo gjykatë riktheu në detyrë Erion Veliajn me vendimin e marrë më datë 3 nëntor ku thuhej se vendimi i qeverisë për shkarkimin e tij si kryebashkiak ishte i kundraligjshëm për faktin se Veliajt nuk iu dha mundësia që të ishte i pranishëm në mbledhjen e këshillit bashkiak ku u votua me shumicë votash për ta shkarkuar.
Vetë kryeministri Edi Rama pas vendimit me anë të të cilit GJK e riktheu në detyrë Veliajn tha se tashmë Gjykata duhet ta lirojë kryebashkiakun kur ai t’u drejtohet me kërkesë për rrëzimin e masës së sigurisë “arrest me burg”. Versus.al

