40 vjeçari Sokol Sadikaj, është identifikuar si autori i dyshuar i një plagosje të trefishtë të ndodhur në një lokal të fshatit Rajë në Fierzë. Versus.al ka mësuar detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të rregjistruar rreth orës 17.05.
Sipas burimeve pranë policisë së Kukësit, Shkelzen Kukaj, Ardian Pepkolaj, dhe Valentin Pepkolaj, janë plagosur me mjete të mprehta nga 40 vjeçari Sokol Sadikaj. Motivet e ngjarjes janë ende të paqarta, për shkak se autori i krimit është në arrati, kurse 3 të plagosurit janë dërguar me urgjencë në spital me makina të rastit për të marrë ndihmën e duhur mjekësore.
Versus. al mëson se dy prej të plagosurve janë vëllezër mes tyre. Nuk është ende e qartë nëse konflikti ka qenë i çastit apo mes palëve ka patur ndonjë konflikt të mëhershëm.
Burimet i thanë Versus.al se pas plagosjes së trefishtë, autori i dyshuar i krimit, i cili është identifikuar nga të tre të plagosurit si shteasi Sokol Sadikaj, është arratisur për t'i shpëtuar arrestimit.
Forcat Operacionale të Drejtorisë së Qarkut Kukës, ata të hetimit të krimeve ndaj jetës dhe oficerë të policisë gjyqësore janë në vendngjarje dhe Versus. al mëon se ka nisur një operacion masiv për arrestimin e 40-vjeçarit. Sokol Sadikaj, mësohet se nuk është një personazh i panjohur për policinë lokale.
Policia e Kukësit:
Rreth orës 17:05 , në një lokal në fshatin Rajë, Fierzë, dyshohet se shtetasi S. S., 40 vjeç, banues në fshatin Dushaj, Tropojë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me mjete të forta dhe të mprehtë shtetasit Sh. K., A. P., dhe V. P., të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve.
Në drejtim të Tropojës janë nisur forcat operacionale të DVP Kukës dhe specialistët e Hetimit të Krimeve, për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, dhe shoqërimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.







