
Policia e Tiranës ka dalë në njoftim zyrtar në lidhje me arrestimet e bëra dje në protestën e opozitës.
Sipas bluve të kryeqytetit, janë arrestuar 18 protestues, 17 janë proceduar dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë, pasi hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë.
Mes personave të vënë nën hetim janë edhe 3 deputetët demokratë Luçiano Boçi, Klevis Balliu dhe Gazment Bardhi, të cilët pas protestës mësynë Komisariatin nrumër 1 në Tiranë, ku u përplasën me blutë duke kërkuar lirimin e protestuesve të shoqëruar.
3 ligjvënësit, së bashku me sekretarin organizativ të Partisë Demokratike akuzohen për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
Të arrestuarit janë Ardian Lici, Anduel Lleshi, Alan Lika, Anastas Mema, Tomas Koja, Ergi Shkurta, Sali Saraci, Ervis Mirashi, Adrian Toli, Rei Hasko, Bledi Spaho, Eldison Huli, Alket Toska, Leonid Xhebexhiu, Besnik Bali, Elton Hoti, Roni Bizhoti dhe Hamza Cani.
11 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 37 shtetas.
Arrestohen 18 prej tyre, procedohen penalisht 17 dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Gjatë tubimit u dëmtuan 11 punonjës policie.
Më datë 24.01.2026, rreth orës 17:00, subjekti politik Partia Demokratike zhvilloi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Gjatë zhvillimit të tubimit, disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që ishin të planëzuar me shërbim për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse (molotovë).
Si rezultat i veprimeve hetimore, u identifikuan 37 shtetas që kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit. Në vijim:
-u arrestuan në flagrancë shtetasit: A. L., 19 vjeç, A. Ll., 26 vjeç, A. L., 24 vjeç, A. M., 30 vjeç, T. K., 25 vjeç, E. Sh., 24 vjeç, S. S., 21 vjeç, E. M., 30 vjeç, A. T., 50 vjeç, R. H., 24 vjeç, B. S., 48 vjeç, E. H., 22 vjeç, A. T., 47 vjeç, L. Xh., 26 vjeç, B. B., 48 vjeç, E. H., 40 vjeç, R. B., 40 vjeç dhe H. C., 20 vjeç;
-nisi procedimi penal për shtetasit:B. N, E. V, A. P, K. K., F. P, M. K, D. B, R. K, A. Z, R. T, dhe 3 të mitur;
-u shpallën në kërkim shtetasit S. D dhe E. Ll.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i subjektit politik Partia Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” si dhe shtetasit L. B, K. B dhe G. B, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.
11 punonjësit e Policisë që mbetën të dëmtuar gjatë tubimit morën mjekim në spital dhe janë jashtë rrezikut për jetën.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund te kënë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Versus.al

