
Policia e Shkodrës ka arrestuar një nga personat e dyshuar si të përfshirë në sulmin ndaj drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, Ramir Haderi.
Në pranga ka rënë shtetasi Elis Çela, banues në lagjen “Kiras” të qytetit. Sipas hetimeve paraprake, ai dyshohet se ka transportuar me automjet autorin që goditi drejtorin Haderi dhe më pas është larguar nga vendngjarja.
Ndërkohë, policia ka identifikuar edhe personin e dyshuar si autorin kryesor të sulmit, i cili është shpallur në kërkim dhe po punohet për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 21 majit në lagjen “Rus” të Shkodrës, ku drejtori i AKU-së, Ramir Haderi, u godit me një send të fortë nga një person i paidentifikuar në atë moment. Si pasojë e sulmit, ai pësoi një dëmtim në pjesën e vetullës dhe mori ndihmë mjekësore në spital, duke dalë më pas në gjendje të qëndrueshme.
Një ditë pas ngjarjes, Haderi deklaroi publikisht se sulmi nuk do ta pengojë në ushtrimin e detyrës së tij.
Burime pranë hetimit bëjnë me dije se një nga pistat kryesore lidhet me veprimtarinë e tij institucionale, ndërsa po hetohet edhe mundësia që autorët të jenë ekzekutues të paguar dhe porositësit të jenë persona të tjerë.
Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave, identifikimin e të gjithë personave të përfshirë dhe dokumentimin e motivit të sulmit.Versus.al

